Votuesit në Minesota dhe Miçigan kanë çuar në Kongresin amerikan dy gra myslimane. Një ish-refugjate e mbërritur në Amerikë nga Somalia dhe një palestino-amerikane e lindur në Detroit janë emrat më të rinj në gjirin e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve.
Ilhan Omar, 36 vjeçe, shtetase amerikane, do të ndjekë rrugën e kongresmenes Keith Ellison, e cila u bë gruaja e parë myslimane e zgjedhur në Kongres dhe tani po tërhiqet për të garuar për Prokurore të Përgjithshme.
Omar përfaqëson Mineapolisin dhe e ka përqendruar fushatën e saj në politikat kryesore të demokratëve si: sistemi shëndetësor universal, shkollimin falas deri në kolegj dhe mbështetjen me fonde publike për strehimin. Ajo i ka kaluar katër vite të fëmijërisë në kampin e refugjatëve në Kenia. Dy vjet më parë, Omar u bë gruaja e parë somaloamerikane që fitoi një vend në legjislaturën e shtetit të saj, gjë që ndodhi në të njëjtën natë me fitoren e republikanit Donald Trump, pas një fushate presidenciale gjatë të cilës u përmend disa herë ndalimi i myslimanëve në SHBA. Omar do të jetë gruaja e parë në Kongresin amerikan që mban veshje myslimane apo shami në kokë.
Rashida Tlaib, 42 vjeçe, ka gjithashtu një histori të kapërcimit të barrierave. Në vitin 2008, ajo u bë e para grua myslimane që u zgjodh në legjislaturën e shtetit të saj. Më e madhja e një familjeje emigrantësh palestinezë me 14 fëmijë, Tlaib ka lindur në Detroit, ku i ati punonte për “Ford Motor Co”.
Edhe Tlaib ka bërë fushatë të bazuar mbi një platformë liberale, duke mbështetur kujdesin shëndetësor për të gjithë, reformat në politikat e emigracionit dhe ka kundërshtuar urdhrin e presidentit Trump për ndalimin e hyrjes në SHBA për shtetas të disa vendeve me shumicë myslimane.
Të dyja përfaqësueset e reja kanë kandiduar në zona elektorale që njihen si mbështetëse të demokratëve.



