Romeo Nazarko, inxhinier topograf dhe Entela Koja, arkitekte dhe urbaniste, diskutuan në studio në lidhje me situatën e përmbytjeve dhe shkaqet që kanë ndikuar në rritjen e tyre. Ata u shprehën se mosrespektimi i planeve urbanistike po bëhet shkak për mosfunksionimin e qyteteve. Arkitektja Koja tha se ndërtimet jashtë kritereve kanë asgjësuar hapësirat e gjelbra, ndërsa inxhinieri Nazarko tha se përtej përmbytjeve, stina e ftohtë mund të sjellë edhe probleme të tjera, të cilat janë shumë të mundshme për shkak të mungesës së masave parandaluese.
Entela Koja
Ndërtohet jashtë çdo kriteri. Entet e planifikimit të territorit kanë kapërcyer disa të drejta në emër të zhvillimit që po japin pasojat e veta.
Parku i Tiranës po kafshohet me investime, njësoj siç ka ndodhur me parkun e vilës së Zogut. Tendenca për të ndërtuar jo vetëm që kafshon zonat e gjelbra, por po bëhet edhe rrezik.
Tirana parashikonte 5 parqe në vitin 2016 dhe sot ka një e gjysmë. Një nga fenomenet e dukshme janë përmbytjet, por ka edhe të tjera. Ne kemi qytete që nuk funksionojnë si qytetet europiane. Ne ndërtojmë me delirin e madhështisë objekte të bukura por në një zonë që nuk i mirëpret.
Ka raporte që flasin për risqet që përfshijnë përmbytjet. Studime ka plot, por problemi është se jemi në dy realitete paralele. Nëse punohet me entitete të huaja, punohet me standarde jashtëzakonisht të mira. Realiteti tjetër është ai i administratës dhe entiteteve shqiptare. Projektet që vijnë me plane nga lart janë një nga gabimet që vijnë me projekte infrastrukturore. Projektet e ardhura me direktiva nga lart sjellin problemin e madh që inxhinierët duhet t’u shkojnë nga pas.
Romeo Nazarko
Kullat janë një vlerë e shtuar, por duhet të jenë në harmoni me qytetin. Nëse ato nuk janë në raport me zonën dhe popullsinë, atëherë kthehen në problem. Edhe ato pak lulishte që ne kishim po bëhen kulla. Nuk merret parasysh asnjë plan urbanistik.
Dimri sapo ka filluar. Do nisin ngricat. Do bllokohet komunikimi, do nisin aksidentet. Nëse nuk pastron rrugët dhe nëse nuk hedh kripë, do të ketë pasoja.
Shqipëria nuk mbaron në Kukës. Nuk ka fushë vetëm në këtë anë të kufirit. Pse nuk ka përmbytje atje? Sepse pastrohen kanalet, merren masa.



