Eksperti i punësimit, Erion Muça thotë se treguesit që vijnë nga tregu i punës, nga sektorë dhe industri që po vuajnë pasojat e mungesës për krahë pune, tregojnë një vështirësi reale për të përballuar flukset që kanë këto industri, si rrjedhojë e kontratave të marra të porosive nga vendet jashtë dhe respektimi i afateve që kërkohen të realizohen.
Duke folur për MCN Live, Muça tha se në mospërmbushje të porosive dhe respektim të afateve mund të rrezikohet deri në ndërprerje të kontratës, nëse nuk realizohet puna.
Sipas tij, industritë që po e vuajnë momentalisht mungesën e punëtorëve, është industria fasone, bare-restorantet apo edhe turizmi, për shkak të emigracionit, por edhe prej mos preferencës së të rinjve, që këto punë nuk u ngjallin interes dhe nuk janë në pritshmëritë e tyre.
Janë në vështirësi dhe nga rënia shumë e fortë e euros.
Vështirësi që duhet të trajtohen me shumë ndërgjegjësim dhe sensibilizim nga njëra anë e përmirësimit të ofertës për punë, duke rritur nivelin e pagave në përputhje me mundësitë që kanë, duke ndërtuar një sistem modern, me qëllim për të afruar sa më shumë të rinjtë.
Së pari janë nevojat reale për profile pune në tregun shqiptar dhe sa këto klasifikohen si zanate se një pjesë e madhe e tyre nuk përkthen në zanate, dhe mund të realizohen nga gjithsecili.
Nevoja më e madhe sot është për këtë kategori, për punëtorë të thjeshtë, për procese të thjeshta në kompani që ofrojnë vetë specializimin sipas kërkesës.
Numri më i lartë i kërkesave është për punëtorë të thjeshtë. Sot shkollat profesionale në Shqipëri prodhojnë të paktën 30% të kërkesave për zanate për të cilat ka nevojë vendi.
70% e kërkesave mbeten ende të paplotësuara, pasi kuotat e shkollave profesionale, janë shumë më të ulëta se kërkesat e vendit për tu plotësuar me këta profesionistë dhe kjo diferencë duhet të fokusohet në rritjen e kuotave të pranimit të nxënësve në këtyre shkolla.
Ka kërkesë të lartë nga ana e të rinjve për të vazhduar zanate, kërkesë që ka ardhur vit pas viti duke u rritur.
Kuotat janë shumë të kufizuara, duke e pamundësuar interesin e të rinjve për të marrë një zanat nëpërmjet këtyre shkollave.
Shumica e këtyre profesionistëve të zhgënjyer nga pagesa, largohen në emigracion.
Por shumica prej tyre mbahen të “prenotuar” që në vit të parë të shkollës së mesme nga kompani të ndryshme, në mënyrë që të jenë gati, pak a shumë iu garantohet punësimi ende pa përfunduar.
Në Shqipëri duhet të promovohet modernizimi i sipërmarrjeve. Krahas pagës, për të mbajtur punëtorët, është respektimi i kontratës së punës 100%.
Ai foli për një rritje pagash mesatarisht me 20%, duke u parë rritja e pagave si element ndërgjegjësimi përballë situatës ku ndodhemi.



