
Zbulohen detaje të reja nga grabitja me armë e argjendarisë në Kamëz e ndodhur pasditen e së martës, ku rreth orës 17:15, në rrugën “Nënë Tereza”, tre persona të maskuar, nën kërcënimin e një sendi të dyshuar si armë zjarri automatik, kanë marrë disa bizhuteri në argjendarinë e shtetases E. S., dhe më pas janë larguar me një automjet tip “BMW” me ngjyrë të bardhë.
Gazetari Besmir Pula raporton për MCN Live, se në momentin e grabitjes ka qenë e pranishme e zonja e argjendarisë dhe nusja e djalit të saj.
Bazuar në dëshminë e gruas, bëhet e ditur se e gjithë situata e vjedhjes ka zgjatur për rreth 40 sekonda, ku tre autorët kanë qenë me maska dhe me automatik.
Nën kërcënimin e armës kanë vjedhur sasinë e varëseve që kanë qenë mbi tavolinë, pasi tre personat kanë zbritur na makina dhe kanë hyrë në një argjendari, ku me anë të një leve dhe vareje kanë thyer xhamin e banakut, kanë marrë floririn dhe janë larguar.
Grabitësit kanë ardhur nga zona e Fushë Krujës dhe pasi kanë parkuar makinën, kanë hyrë në argjendari.
Të vetmen fjalë që autorët i kanë thënë është ‘duart lart se iu vrava, mos lëvizni’ dhe kanë kryer gjithë vjedhjen. Flisnin me një zë të stimuluar për mos të rënë në sy.
Burime nga komisariati i policisë nr.5 bëjnë me dije se është vjedhur një sasi prej rreth 500 gramë flori.
Ndërkohë që komisariati ndodhet rreth 200 metër larg argjendarisë ku ndodhi grabitja.
Pronarët thonë se nuk kanë bërë ende një inventar të dëmit.
Në momentin e ngjarjes ndodhej e zonja dhe nusja e djalit, ku njëri prej tyre ka shtyrë zonjën ka thyer xhamin e banakut.
Ndërkohë deri më tani nuk janë lokalizuar dhe nuk janë kapur autorët, pavarësisht ngritjes së pikave e përkohshme të kontrollit në qarqet Tiranë, Durrës, Lezhë, Kukës dhe Shkodër.
Për këtë rast është krijuar një grup i posaçëm hetimor me specialistë të strukturave të posaçme të luftës kundër krimeve të rënda.



