Megjithë rritjen ekonomike që ka vijuar që prej recesionit të fundit, Amerika ka bërë pak në drejtim të trajtimit të dobësive themelore strukturore në ekonominë dhe shoqërinë e vendit. Ky është përfundimi që del nga një raport i Shkollës së Biznesit të Harvardit.
“Është shkatërruar rimëkëmbja”, thuhet në raportin, i cili sheh si shkaktarë bllokimin politik në qeverinë amerikane dhe lobimin e fortë me interes të veçantë nga biznesi amerikan.
Sipas raportit, "Amerika ka bërë kaq pak përparim [sepse] sistemi politik është optimizuar nga dy partitë kryesore politike për të çuar përpara interesat e tyre partiake dhe jo interesin publik. Rregullat zgjedhore dhe legjislative u shërbejnë mirë partive, por shkaktojnë bllokim dhe çaktivizojnë demokracinë tonë".
Dokumenti, "Një rikuperim i shkatërruar: Shteti i konkurrencës amerikane 2019", anketoi mijëra drejtues biznesi, duke përfshirë 5 713 studentë të Shkollës së Biznesit në Harvard dhe 1 006 persona nga publiku i gjerë.
"Ne patëm një rimëkëmbje të mrekullueshme", thotë për Yahoo, Michael Porter, bashkautor i studimit. "Mund të na kishte dhënë mundësinë për të marrë disa burime të rëndësishme dhe për t’ua kushtuar ato disa prej sfidave tona të njohura, si infrastruktura ose kujdesi shëndetësor. Asnjë nga këto nuk ka ndodhur", shtoi ai. "Përkundrazi, ne shkatërruam një rimëkëmbje të madhe ekonomike dhe nuk e përdorëm atë për t'i bërë gjërat më mirë".
Biznesi harxhoi 6 miliardë dollarë në vit për lobim, për të cilin raporti thotë se ishte një nga faktorët e rënies së konkurrencës amerikane.
Para të tjera shkuan në zgjedhje dhe iniciativa votimi, përpjekje për të ndikuar në votat dhe donacionet e punonjësve dhe për kompanitë që shtuan ish-zyrtarët e qeverisë në listat e pagesave.
"Lobimi është zgjeruar dhe rritur shumë me kalimin e kohës - dhe është vetëm çoroditje e gjithçkaje në lidhje me legjislacionin", thotë Porter.
"Nëse doni që marrëveshja juaj M&A të aprovohet, ju duhet të loboni", shpjegon ai. "Ju mund të shkoni te njerëzit në legjislaturë që janë të përfshirë në [Komisionin Federal të Tregtisë] ose të lidhur me grupet e ndryshme dhe mund të modifikoni rregulloret në favorin tuaj”, thotë Porter.



