Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë pas hekurave ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici dhe në arrest shtëpie Alma K. Në seancën e sotme për dhënien e masës së sigurisë, ishte i pranishëm në gjykatë vetë Gjici i cili akuzohet për korrupsion pasiv, si dhe 40-vjeçarja, e cila filmoi ish-kryebashkiakun e Kukësit në marrëdhënie intime, në zyrën e Bashkisë Kukës. Nga hetimet e kryera nga SPAK, rezulton se Alma K., në momentin që është futur në ambientet e zyrës, çelësat e automjetit dhe celularin e ka lënë te sekretaria. Ka pasur një dosje dhe një kuti plastike në formën e gotës ku sipas saj kishte pije për të pirë. Në këtë gotë plastike Byroja Kombëtare e Hetimit dhe SPAK ka mundur të gjejë edhe mekanizmin e përgjimit. Mekanizmi i përgjimit është një gotë plastike. Nga ana e saj 40-vjeçarja pretendon se përgjimin e ka bërë pa u shtyrë nga askush, ndërkohë që hetimet janë në vijim për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë.



