
Presidenti Gustavo Petro ka ftuar bashkëthemeluesin e WikiLeaks, Julian Assange për të vizituar Kolumbinë pasi u publikua lajmi se aktivisti u lirua nga burgu i sigurisë maksimale Belmarsh në Londër të martën në mëngjes.

Assange pritet të deklarohet fajtor për shpërndarjen e sekreteve shtetërore si pjesë e një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë me autoritetet amerikane dhe më në fund të lirohet më vonë këtë javë, duke i dhënë fund luftës së tij prej më shumë se dy dekadash kundër ndjekjes penale.
“Unë e përgëzoj Julian Assange për lirinë e tij. Burgimi dhe tortura e përjetshme e Assange ishte një sulm kundër lirisë së shtypit në shkallë globale”, shkroi lideri kolumbian në X (ish-Twitter). “Denoncimi i masakrës së civilëve në Irak ishte ‘krimi’ i tij dhe tani e njëjta masakër po përsëritet në Gaza”, shtoi ai.
Petro ftoi Assange dhe gruan e tij Stella të vizitonin Kolumbinë si "një akt lirie të vërtetë".



