Prej disa ditësh shteti fqinj Greqia ndodhet nën pushtetin e zjarrit, ku situata paraqitet kritike kryesisht në Rodos dhe Korfuz, por intensiteti i flakëve është shtuar gjatë natës edhe në Agios, Karystos dhe Ylikis. Pak pas orës 06:00 të së hënës është dërguar një mesazh i ri nga qendra e emergjencës për evakuimin e zonës së Platys Gialos në Karystos, ndërsa në orën 03.00 të mëngjesit kanë marrë të njëjtin mesazh edhe ata në Livadi dhe Kastri. Zjarri, sipas informacioneve të para të mëngjesit të sotëm, është përhapur në jug ku po operojnë forcat tokësore. Në mbrëmje u hap një zonë punimesh tokësore drejt Platanistos, por ka ende një front aktiv. Në zonë po operojnë edhe 77 zjarrfikëse me tre grupe këmbësore dhe 26 mjete. Në mëngjes, kryetari i bashkisë së Karystos, Lefteris Raviolos, duke folur për ERT, bëri apel për më shumë mjete ajrore, pasi zjarri po përparon në një vend të vështirë dhe forcat tokësore nuk kanë akses të lehtë. Në Rodos, fronti është zhvendosur në lindje, drejt Malonës dhe Massarit, por pa kërcënuar vendbanimet. Qindra zjarrfikës dhe vullnetarë gjatë gjithë natës u angazhuan në frontet e shpërndara të zjarrit. Për shkak të zjarrit, njësia bashkiake e Rodosit Jugor me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Civile ka shpallur në gjendje të jashtëzakonshme. Rreth 16.000 persona u evakuuan nga toka dhe 3000 nga deti në ishull, sipas zyrtarëve lokalë. Ministria e Ndryshimeve Klimatike dhe Mbrojtjes Civile tha se ky ishte evakuimi më i madh nga zjarri në vend. Mijëra pushues kanë kaluar të dielën në kampet e improvizuara në aeroportin e Rodosit, në pritje të një fluturimi për t’u nisur nga ishulli, ndërsa pak pas një të mëngjesit të së hënës, në aeroportin “Eleftherios Venizelos” ka mbërritur avioni i fundit me turistë nga Rodos. Sot priten edhe disa fluturime nga Rodosi me turistë që kthehen më herët nga sa kishin planifikuar për pushimet e tyre. Në Korfuz, Forcat e Zjarrfikësve po bëjnë përpjekje për të ndalur frontin e zjarrit të rënë pasditen e djeshme, me vatra të ndryshme, në zonën e Perithisë në veri të Korfuzit. Zjarri në mëngjes u kufizua në fshatrat Santa dhe Megoula, por ka ende një front aktiv lart në Viglaturi dhe Apolysosi, ku po punohet në një front prej 300 metrash.



