Çmimi Nobel në Ekonomi sivjet u është dhënë tre ekonomistëve që kanë punuar për lehtësimin e varfërisë globale. Abhijit Banerjee, Esther Duflo dhe Michael Kremer kanë pasur në fokus të punës së tyre strategji të ndryshme për të zvogëluar varfërinë.
Puna e tyre ka "përmirësuar ndjeshëm aftësinë tonë për të luftuar varfërinë në praktikë", thuhet në arsyetimin e Akademisë Mbretërore të Shkencave Suedeze, e cila jep çmimin.
Treshja do të marrë nëntë milionë krona suedeze (820 000 paund).
Esther Duflo është gruaja e dytë që fiton çmimin e ekonomisë (Elinor Ostrom e fitoi në 2009) qëkur ky çmim nisi të jepej në vitin 1969. Në moshën 46-vjeçare, ajo është gjithashtu nobelistja më e re e këtij çmimi.
Akademia Mbretërore e Shkencave Suedeze tha që fituesit kishin prezantuar "një qasje të re për të marrë përgjigje të besueshme në lidhje me mënyrat më të mira për të luftuar varfërinë globale".
"Si rezultat i drejtpërdrejtë i një prej studimeve të tyre, më shumë se pesë milion fëmijë indianë kanë përfituar nga programet efektive të mësimit riparues në shkollë", thuhet në njoftimin e Akademisë.
"Një shembull tjetër janë subvencionet për kujdesin shëndetësor parandalues që janë futur në shumë vende."
Çmimi Nobel në ekonomi - i njohur teknikisht si çmimi Sveriges Riksbank - është çmimi i vetëm që nuk është krijuar nga filantropi Alfred Nobel. Ai u krijua nga banka qendrore suedeze "në kujtim të Alfred Nobel" dhe u dha për herë të parë në vitin 1969.
Vitin e kaluar, William Nordhaus dhe Paul Romer fituan çmimin për punën e tyre në rritjen e qëndrueshme. Studimi i ekonomistëve amerikanë u përqendrua në atë se si ndryshimet klimatike dhe teknologjia kanë ndikuar në ekonomi.
Në vitin 2017, ekonomisti amerikan Richard Thaler, autor i bestsellerit “Nudge”, fitoi për punën e tij në fushën e sjelljes ekonomike.
Që kur u dha për herë të parë në vitin 1969, amerikanët kanë dominuar në çmimin e ekonomisë.



