
Kolegji Zgjedhor vendosi përfundimisht zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor.
Kolegji Zgjedhor, vendosi sot të rrëzojë kërkesën e Idajet Beqirit, kryetarit të Partisë Uniteti Kombëtar për tu çregjistruar nga zgjedhjet.
Rrjedhimisht dekreti i Presidentit Ilir Meta për anullimin e zgjedhjeve është i pavlefshëm dhe data që mbetet në fuqi për zgjedhjet lokale është pikërisht 30 qershori.
Trupa e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor e përbërë nga Astrit Kalaja, Ridvan Hado, Tomor Skerli, Artur Malaj dhe Lindita Sinanaj rrëzoi PUK-në e Beqirit i cili nga ana tjetër pranoi këtë vendim.
Menjëherë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, i cili vendosi të lërë në fuqi 30 qershorin si datë të zgjedhjeve lokale, ka ardhur reagimi nga Presidenca.
Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi, e ka cilësuar vendimin e Kolegjit Zgjedhor një skeç të orkestruar prej kohësh.
“Asnjë surprizë nga skeçi i rradhës i orkestruar prej kohësh”, shkruan Tedi Blushi.



