
Një zyrtar qeveritar në Indi është pezulluar nga puna pasi urdhëroi që të thahet një rezervuar në mënyrë që të merrte telefonin e tij. U deshën tre ditë për të pompuar miliona litra ujë nga diga, pasi Rajesh Vishwas i ra telefoni duke bërë një selfie.
Në kohën kur u gjet, telefoni ishte mbushur i gjithi me ujë dhe nuk punonte. Vishwas pretendoi se telefoni përmbante të dhëna të ndjeshme të qeverisë dhe kishte nevojë për rikuperim, por sërish ai është akuzuar për keqpërdorim të pozicionit të tij.
Inspektori i ushqimit hodhi telefonin e tij Samsung, me vlerë rreth 1200 dollarë në digën Kherkatta, në shtetin qendror indian të Chhattisgarh, të dielën e kaluar.
Pasi zhytësit vendas nuk arritën ta gjenin, ai pagoi që të sillte një pompë nafte, tha Vishwas në një deklaratë të cituar në mediat indiane.
Ai deklaroi se kishte leje verbale nga një zyrtar për të derdhur “pak ujë në një kanal aty pranë”, duke shtuar se zyrtari tha se në fakt do të përfitonin fermerët që do të kishin më shumë ujë.
Pompa funksionoi për disa ditë, duke zbrazur rreth dy milionë litra ujë, sasi e cila thuhet se mjafton për të ujitur 6600 hektarë tokë bujqësore.
Misioni i tij u ndal kur një zyrtar tjetër, nga departamenti i burimeve ujore, mbërriti në zonë pas një ankese të marrë.
“Ai është pezulluar nga puna deri në përfundim të hetimeve. Uji është një burim thelbësor dhe nuk mund të shpenzohet në këtë mënyrë,” tha Priyanka Shukla, zyrtare e qarkut Kanker, për gazetën National, cituar nga BBC.
Nga ana e tij Vishwas e ka mohuar se ka keqpërdorur pozicionin e tij dhe tha se uji që ai drenoi ishte nga pjesa e derdhjes së digës dhe jo në gjendje të përdorshme.
Por veprimet e tij kanë ngjallur kritika të shumta në politikanët, për keqpërdorimin e ujit dhe shpërdorimin e pushtetit.



