Investigimi i “Xhadat” nxjerr zbuluar IMT e Bashkisë Tiranë. Mashtruan qytetarin për të favorizuar ndërtuesin pa leje (VIDEO)

Investigimi i “Xhadat” nxjerr zbuluar IMT e Bashkisë Tiranë. Mashtruan qytetarin për të favorizuar ndërtuesin pa leje (VIDEO)

Emisioni “Xhadat” denoncoi përmes fakteve shkeljen hapur të ligjit dhe favorizimin e ndërtuesve pa leje nga ana e Inspektoratit për Mbrojtjen e Territorit, pranë Bashkisë Tiranë. Rasti u denoncua nga shtetasi Mersin Ndreu, i cili është pronar i një vendparkimi në kompleksin “Magnet” në rrugën “Frosina Plaku”. Sipas tij fqinji e kishte kthyer vendparkimin me vija të bardha në garazh me mure dhe qepenë. Për shkak të këtij ndërtimi pa leje vendparkimi i zotit Ndreu kishte dalë jashtë funksioni. Për ta provuar këtë gazetarët e “Xhadat” u përpoqën të parkojnë. Me vështirësi arritën të hyjnë në vendparkim, por dera e shoferit për shkak të murit të objektit pa leje, nuk hapej. Për këtë arsye shoferit i duhej të zbriste nga krahu i pasagjerit.  Në intervistën e dhënë për emisionin “Xhadat” Ndeu u shpreh:  

“Mariglen Qato drejtor i IMT jep një përgjigje, që kur vajta nuk ka ndërtim pa leje, kur kishte. Ai ka bërë ndërtim pa leje në kufi me mua. Parkimi është parkim me vija të bardha, nuk lejohet të bësh mur.”

Gazetarët pyetën edhe qytetarin Lulzim Kodra, i cili kishte kthyer vendparkimin në garazh, nëse dispononte leje për këtë ndërtim apo jo. Sipas tij kërkesën bashkë me praktikën për ndërtimin e garazhit e kishte dorëzuar pranë Njësisë Administrative Numër 7, nga e cila kishte marrë përgjigjen se punimet që kërkonte të kryente nuk kërkonin leje ndërtimi. Lidhur me këtë problem gazetarët ju drejtuan zyrës së urbanistikës pranë Njësisë 7 për të pyetur nëse lejohet që një vendparkim ta kthesh në garazh. Përgjigja që morën me kamera të fshehtë ishte, jo. 

Pas këtij komunikimi gazetarët ju drejtuan Njësisë nr 7. me një kërkesë zyrtare për informacion përmes së cilës kërkuan informacion nëse z Lulëzim Kodra ka marrë leje për punimet që ka kryer. Në përgjigjen e saj njësia deklaroi se shtetasi Lulëzim Kodra ka paraqitur pranë tyre kërkesën për ndërhyrje të brendshme si “Krijimi, eleminimi, ose ndryshimi i mureve ndarës (jombajtës)të brendshëm” të cilat nuk kanë nevojë për leje ndërtimi. Sipas këtij institucioni z.Kodra ka dorëzuar dokumentacionin e pronësisë, foto të gjendjes ekzistuese të pasurisë, projektin teknik bashkë me punimet që do të kryen, ç`ka ngre dyshime se ky institucion ka pasur dijeni në lidhje me ndërtimin që do të kryhej.

Pra siç u parashtrua edhe më lart, përpara se ta denonconte te “Xhadat” vetë z. Ndreu e kishte denoncuar këtë ndërtim pa leje te Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Tiranë. Në kthimin e përgjigjes që IMT i kishte dërguar qytetarit më datë 16 shkurt, thuhej se gjatë kontrollit të ushtruar në terren në momentin e inspektimit, nuk ishin konstatuar punime ndërtimore në proces dhe pala e denoncuar i kishte paraqitur inspektorëve kthimin e përgjigjes nga Njësia Administrative 7 për punime të mirëmbajtjes së zakonshme, të cilat nuk kanë nevojë për leje ndërtimi. Pra, në përgjigjen e firmosur nga vetë kryeinspektori Mariglen Qato, qytetarit iu tha se gjithçka ishte në rregull, ndërsa pas denoncimit të këtij rasti nga emisioni “Xhadat” Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, pranë Bashkisë Tiranë, dërgoi  për herë të dytë inpektorët, të cilët këtë herë konstatuan se i njëjti ndërtim që në 16 shkurt ishte në rregull, më 28 mars u klasifikua si ndërtim pa leje.

Pas konstatimit të ndërtimit pa leje IMT ka nxjerrë dy vendime.Vendimin për dënim me gjobë dhe atë për prishje të objektit të kundraligjshëm të kundravajtësit Lulzim Kodra. Edhe pse inspektimi është bërë më 28 mars, vendimi për prishje dhe dënim me gjobë kanë dalë 8 ditë më pas, pra më 5 prill.  Faktet e sipërpërmendura tregojnë qartë se si institucionet punojnë me dy standarde, qytetarit i thotë se nuk ka ndërtim pa leje, ndërsa kur rasti denoncohet në media, ka. Në kthimin e përgjigjes së Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Tiranë që mban datën 19 prill, thuhet se do të ndërhyet nga ana e tyre për prishjen e objektit dhe rikthimin në gjendjen e mëparshme, më datë 5 prill.

Duke qenë se përgjigja e IMT drejtuar emisionit “Xhadat”  mban datën 19 prill, nuk kuptohet arsyeja se pse ky institucion nuk ka dhënë asnjë informacion pse prishja në datë 5 prill nuk është kryer!!! Duke qenë se përgjigja e nisur nga IMT në datë 19 tek Xhadat mbërriti në datën 25 prill, ne nuk patëm mundësi të verifikonim se çfarë ndodhi në datën 5 prill. Pse ky ndërtim pa leje nuk u prish në këtë datë? Megjithatë dokumentat e zbardhin edhe këtë pikëpyetje të ngritur gjatë këtij investigimi.

Nga data 5 prill që IMT Bashkia Tiranë duhet të kishte ndërhyrë për prishjen e objektit pa leje deri në datën 18 që shtetasi Lulëzim Kodra, pronar i ndërtimit pa leje ka kërkuar në gjykatë vendim për sigurim padie, IMT nuk ka bërë asnjë veprim, fakt ky që tregon hapur bashkëpunimin me palën që ka kryer ndërtimin pa leje.

Pasi IMT ka marrë informacionin për kërkesën e bërë nga shkelësit në gjykatë më 18 prill, një ditë më pas, datë 19, ka nxjerrë vendimin e dytë për prishjen e objektit pa leje më datë 25 prill, ora 10.

Në të vërtetë IMT, pas marrjes së vendimit për sigurim padie datë 20 prill nga ana e z.Lulëzim Kodra, ligjërisht nuk mund të ndërhyjë më 25 prill për prishjen e objektit, deri sa gjykata të shprehet pas shqyrtimit të plotë të çështjes. Pyetja që lind në këtë rast është se pse Inspektorati për Mbrojtjen e Territorit, Bashkia Tiranë i la 20 ditë kohë për të bërë sigurimin e padisë shkelësve të ligjit, pra ndërtuesve pa leje?

Skema është e qartë, nëse çështja regjistrohej në gjykatë, zgjatja e proceseve gjyqësore do t`i jap edhe disa “vite jetë” ndërtimit pa leje, por me “bekimin” e IMT-së, e cila në këtë rast është bërë palë me shkelësit e ligjit.

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy