
Dy foto të publikuara sot nga deputetja e PDK-së, Flora Brovina, kanë rikthyer edhe njëherë në vëmendje tmerret e luftës në Kosovë. Fotot e bëra publike sot, në ditën kur pritet votimi i rezolutës për gjenocidin serb në Kosovë, tregojnë rastin e përdhunimit të një gruaje kosovare nga paramilitarët serbë në sytë e familjarëve nën kërcënimin e armës dhe trupin e pajetë të një vajze 7-vjeçare, gjithashtu viktimë e dhunës së forcave serbe.
“Ky fëmijë me lejen e prindit – nënës - e dëshmoj se ka vdekur gjatë dhunimit, 7 vjeç vajzë. E vërteta duhet të mbërrijë ku duhet, ajo është akuza për gjenocid”, tha Brovina në sallën e Kuvendit.
Publikimi i fotove u pasua me një furtunë reagimesh, sidomos në media dhe në rrjetet sociale. Fotot u konsideruan si provë e gjenocidit të ushtruar mbi shqiptarët e Kosovës gjatë konfliktit të vitit 1999. Megjithatë, një pjesë e opinionit në Kosovë e konsideroi të tepruar publikimin pa censurë të fotove.
KCRT, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës bëri të ditur se ka marrë reagime nga të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë si dhe nga familjarët e tyre. “Publikimi i këtyre pamjeve në mënyrë të plotë - pa cenzurë, i ka rikthyer kujtimet e tmerrshme të luftës për shumë gra, burra e fëmijë që kanë përjetuar këtë tmerr, duke ritraumatizuar dhe duke i thelluar edhe me tej plagët dhe dhimbjet shpirtërore të tyre të përjetuara gjatë luftës”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, në mediat serbe nuk ka asnjë raportim në lidhje me fotot që u bënë publike për herë të parë. Lajmet në mediat në gjuhën serbe mbeten te raportimi i thjeshtë, duke iu referuar mediave të Kosovës, për seancën ku diskutohet rezoluta për gjenocidin.
Publikimi i fotove makabër vjen në një moment kur Kosova dhe Serbia po bëjnë përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje dypalëshe, 20 vjet pas përfundimit të luftës me ndërhyrjen e NATO-s.
Mbetet për t’u parë ndikimi që do të ketë publikimi i këtyre fotove me sensibilitet të lartë në ecurinë e dialogut, i cili prej muajsh është në ngërç.
Flora Brovina ka qenë vetë viktimë e dhunës serbe gjatë kohës së luftës. Shkrimtare, mjeke dhe aktiviste e të drejtave të njeriut, ajo u bë një nga gratë më të njohura të burgosura pasi u mbajt për më shumë se dy vjet në burgjet serbe.



