
Reshjet e orëve të fundit kanë rritur ndjeshëm nivelin e ujit në lumin Drino, duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë.
Si pasojë, rruga që kalonte përmes lumit dhe lidhte fshatrat e Rizës, në Bashkinë Dropull dhe zonën e Pogonit, është dëmtuar rëndë dhe aktualisht është e pakalueshme.
Për shkak të situatës, lëvizja e banorëve dhe e automjeteve do të kryhet vetëm përmes rrugës alternative, e ndërtuar së fundmi nëpërmjet Nepravishtës dhe Dhuvjanit, si një zgjidhje e përkohshme deri në rikthimin e normalitetit.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë Dropull, Dhimitër Toli, ka bërë me dije disa ditë më parë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak se pronarët e Fabrikës së Ujit të Ambalazhuar në Glinë kanë marrë përsipër financimin e projektit për rindërtimin e urës së shkatërruar më 22 nëntor 2025, me një kontribut prej 40 mijë eurosh.
Sipas tij, palët kanë kërkuar edhe pëlqimin verbal të qeverisë shqiptare për financimin e plotë të projektit. Rindërtimi i urës konsiderohet një investim jetik për banorët e pesë fshatrave të Rizës, të cilët prej javësh janë detyruar të përdorin rrugën alternative për të shkuar në banesat dhe aktivitetet e tyre të përditshme.
Autoritetet lokale apelojnë për zgjidhje sa më të shpejtë, për të garantuar qarkullimin dhe sigurinë e banorëve.



