Presidenti Meta ka dekretuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat kaluan në Parlament pasi maxhoranca dhe opozita jashtëparlamentare arritën marrëveshjen e 5 qershorit.
Kreu i shtetit shpehet nëpërmjet një njoftimi të publikuar në faqen e Presidencës se “ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë i vetmi produkt i marrëveshjes konsensuale të 14 janarit dhe të 5 qershorit të dakordësuara në Këshillin Politik, që mundëson vijimin e sigurtë të rrugëtimit europian të Shqipërisë dhe që kishin konsensusin dhe gjithëpërfshirjen e të gjithë aktorëve politikë në vend”.
Presidenti Meta, rithekson edhe një herë se, dialogu politik, gjithëpërfshirës, transparent dhe i sinqertë ndërmjet forcave politike për të gjitha çështjet që prekin zgjedhjet është e vetmja rrugë që e afron Shqipërinë me Bashkimin Europian dhe e bën Reformën Zgjedhore në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR, siç ka kërkuar Këshilli Europian në 15 kushtet e vendosura për hapjen e negociatave.
Ndryshimet kushtetuese të miratuara një ditë më parë nga Kuvendi, me votën e maxhorancës dhe opozitës parlamentare, Meta i cilësoi antikushtetuese dhe të papranueshme.
Mes të tjerash, ai tha se “asnjë bandë pengmarrëse s’do të mund t’i shpëtojë përgjigjes së merituar që do të marrë nga forca e qytetarëve të bashkuar kundër këtij grushti shteti”.



