
Arrestohet në SHBA autori i dyshuar i vrasjes së efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha (në foto), dy vjet më parë gjatë operacionit në Lazarat.
Ruhan Hiraj, 20 vjeç, nga Gjirokastra, është vënë në pranga tri ditë më parë.
Arrestimi i Hirajt u bë i mundur falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet amerikane dhe FBI-në.
Ndaj Hirajt, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka dhënë dy vjet më parë masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit”, e kryer në bashkëpunim, “vrasje e punonjësve të Policisë Shtetit, e mbetur në tentativë” , “Prodhim dhe mbajtja e armëve luftarake” dhe “ Prodhim, shitje e lëndëve narkotike”.
Efektivi i forcave RENEA-s, Ibrahim Basha, mbeti i vrarë mëngjesin e 25 qershorit 2015, gjatë një aksioni për kapjen e një grupi që kishte kundërshuar me armë operacionin e policisë në Lazarat. Gjatë këtij aksioni u plagosën edhe dy kolegë të tij, Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Përleshja e armatosur mes policisë dhe "grupit te zjarrit" ndodhi një vit pas aksionit të gjerë antidrogë në Lazarat.



