Pas një muaji në qeli, Erion Veliaj ka mbërritur pak më parë në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, ku pritet të shqyrtohet ankimimi për masën e arrestit me burg.
Seanca pritet të nisë në orën 10:00.
Gjyqtari i apelit Engert Pëllumbi do të vendosë nëse do pranojë kërkesën e Veliajt për lirimin nga qelia, apo do të lërë në fuqi vendimin e dhënë nga gjyqtari Erion Bani.
Një ditë më parë, Veliaj tha se në seancën e së martës, ku kërkon lirinë, do të flasë më shumë për çështjen ndaj tij. Ai theksoi se do të mbrojë veten, familjen, por edhe çdo shqiptar që beson te drejtësia.
Kryebashkiaku Veliaj akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”, të kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, e cila po hetohet në masë detyrim paraqitje, edhe për mosdeklarim pasurie.



