Kryeministri Edi Rama dhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi janë përfshirë ditën e sotme në replika mes tyre për rrënimin e urës së Bunës.
Kreu i qeverisë, akuzoi Ademin se ka lënë në mëshirë të fatit këtë urë, ndërsa kjo e fundit u shpreh se është përgjegjësi e Ministrisë së Mbrojtjes për ta rikonstruktuar atë.
Në lidhje me këtë pretendim të kryetares së bashkisë, ka reaguar Ministria e Mbrojtjes, e cila përmes një njoftimi ka sqaruar se ura nuk është pronësi e saj.
Reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes:
Ministria e Mbrojtjes nuk ka asnjë detyrim të ndërtojë ura, edhe pse vullnetarisht i jemi përgjigjur kërkesave të pushtetit vendor duke ndërhyrë për ndërtimin e tyre kudo ku vlerësohet se i shërbejnë lëvizjes strategjike. Përsa i përket urës së Bunës në Shkodër bëjmë me dije se ajo nuk është pronë e Ministrise së Mbrojtjes. Pavarësisht kësaj, ekspertët xhenierë të Forcave te Armatosura i janë përgjigjur bashkisë Shkodër në kohë rekord, duke bërë verifikikimin dhe evidentimin e nevojave për riparimin e kësaj ure. Rezultatet e këtij rikonjicioni i janë paraqitur kryetares së bashkisë nga ekspertët e FA dhe ekspertët e bashkisë, të autorizuar prej saj për të bërë evidentimin e problematikës. Nga ky moment mbetet në detyrimin e bashkisë Shkodër të vendosë nëse kërkon ndërhyrjen e Forcave të Armatosura ose jo për ndertimin e saj. Detyrim i cili deri tani ka qëndruar në heshtje nga drejtuesit e bashkisë. Edhe njëherë tjetër Forcat e Armatosura sigurojnë opinionin publik se do te vijojnë të jenë pranë tyre në çdo rast kur lipset ekspertiza dhe kapacitetet e tyre.



