Sa do të ishit të gatshëm të paguanit për një limon që nuk është as i freskët? Në Angli, në Shropshire, një shtëpi ankandi shiti një limon 285-vjeçar për shumën 1416 paund, më shumë se 1600 euro.
Sipas Brettells Auctions, e cila mbikëqyri shitjen e çuditshme, limoni i mumifikuar u gjet papritur brenda një dollapi librarie të shekullit të 19-të që ishte sjellë në të njëjtën shtëpi ankandi për t’u nxjerrë në shitje nga një familje e cila tha se e kishte trashëguar atë nga një xhaxha.
Në lëvozhgën tashmë kafe të limonit, të ruajtur mirë në formë, janë gdhendur fjalët: “Dhuruar nga z. P Lu Franchini më 4 nëntor 1739 për zonjushën E Baxter”.
Pronari i Brettels Auctioneers, David Brettell, tha: “Limoni mbërriti këtu në një librari të zakonshme kineze nga fundi i shekullit të 19-të, ishte në fund të një prej sirtarëve, e gjetëm kur nxorëm sirtarin për të marrë foto në shitje”.
Ndoshta, sipas Brettell, është një shenjë dashurie e sjellë nga India koloniale. Pjesërisht si shaka, pjesërisht për kuriozitet, shtëpia e ankandeve në West Midlands vendosi të nxjerrë në shitje frutat e agrumeve që janë pothuajse 300 vjet të vjetra, duke vlerësuar se mund të kapte 40-60 paund (46-70 euro).
Është e lehtë të imagjinohet habia e mbajtësit të ankandit kur limoni që mbart ndoshta me vete një mesazh romantik arriti në çmimin përfundimtar të shitjes, më shumë se 1400 paund.
Gjithsej për ankand ishin 35 oferta, në fund relikti kurioz u fitua nga një koleksionist britanik. Libraria kineze prej nga nisi gjithçka, u shit për vetëm 32 paund, as 37 euro e 50 cent.
Sakaq limoni fitoi 50 herë më shumë se shuma e marrë për mobilje.



