Charles III u shpall zyrtarisht Mbret nga Këshilli i Aderimit në Britaninë e Madhe. Letra zyrtare u nënshkrua, ndër të tjerë nga kryeministrja Liz Truss, Princi William, bashkëshortja Mbretëreshë dhe Kryepeshkopi i Canterbury-t, Justin Welby.
Në fjalën e tij pas marrjes së fronit pas ndarjes nga jeta të mbretëreshës Elizabeth, Charles u zotua se do të ndjek shembullin e nënës së tij.
Unë do të ndjek shembullin e nënës sime në mbështetjen e qeverisë kushtetuese dhe në kërkimin e paqes, harmonisë dhe prosperitetit për popujt e këtyre ishujve dhe të Komonuelthit.
E di se do të jem i mbështetur nga dashuria dhe besnikëria e popujve nga të cilët jam thirrur të jem sovran dhe se në kryerjen e këtyre detyrave do të udhëhiqem nga parlamentet e tyre.
Nëna ime la një shembull dashurie dhe shërbimi gjatë gjithë jetës së saj. Mbretërimi i nënës sime është i pakrahasueshëm në kohëzgjatje dhe përkushtim.
Jam thellësisht i vetëdijshëm për trashëgiminë e thellë dhe për detyrat dhe përgjegjësitë e mëdha që më kalojnë tani.
Në vijim shtoi se për të ngushëllimi më i madh përballë ndarjes nga jeta të Mbretëreshës Elizabeth është “të njohësh dashurinë dërrmuese të shprehur nga kaq shumë njerëz ndaj motrës sime dhe vëllezërve të mi”.
Para shpalljes së Charles Mbret, Këshilli i Aderimit njoftoi zyrtarisht vdekjen e Mbretëreshës.
Më pas, Princi Charles Philip Arthur George u shpall Mbret Charles III “me hirin e Zotit”, sovran i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, kreu i Komonuelthit dhe mbrojtës i besimit.
Një oficer i Urdhrit të Garterit, një urdhër shumë i vjetër britanik që daton në vitin 1415, shpalli publikisht ngjitjen e Charles III në fron nga ballkoni i Pallatit të Shën James.
E paraprirë nga uturima e borive të ndjekura nga të shtëna topash, ceremonia përfundoi me bandën duke performuar himnin “Zoti ruajt Mbretin”, duke kujtuar shprehjen e vjetër “Mbreti (Mbretëresha) vdiq, rroftë Mbreti”.



