
Pas denoncimit të PD, Bashkia e Tiranës ka anuluar tenderin 400 milionë lekë për asfaltimin e rrugës “Xhon Belushi”.
Kujtojmë që rruga në zonën mes Kinostudios dhe Freskut u denoncua nga kandidati i PD për bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi, i cili pretendoi për një tender fiktiv.
Denoncimi i Këlliçit u bë përmes rrjeteve sociale, ku kandidati demokrat për kryeqytetin publikoi edhe dokumentin zyrtar ku njoftohet anulimi i garës. Në një mesazh të shkurtër ai shprehet: “ Një fitore për Tiranën! Anullohet tenderi fiktiv për Rr. ‘Xhon Belushi’. Kur bëhemi bashkë tërhiqet bashkia. Kur bëhemi bashkë parandalojmë vjedhjen e taksave tona. Kurdo natën të hidhet asfalt elektoral, unë do të jem atje! Bashkë Tirana! Forca!”.
Një reagim erdhi dje edhe nga anëtari i Kryesisë së PD Eno Bozdo, që e konsideroi vendimin triumf të qytetarëve, të cilëve sipas tij u janë shpëtuar 400 milionë lekë.
Në arsyet e anulimit të dhëna nga bashkia e Tiranës thuhet: “për shkak të rrethanave të paparashikueshme dhe objektive, nevojat apo aftësia paguese e autoritetit ose entit kontraktor ka ndryshuar”.



