
Gazetarja Ola Xama e ftuar nw emisionin "Tw Paekspozuarit" tha se bankat kanë shënuar një rritje të dukshme të fitimeve, sidomos gjatë vitit 2023 dhe 2024, falë rritjes së interesave bankare. Ajo shpjegoi se pjesa më e madhe e fitimeve të bankave vjen nga interesi dhe komisionet.
Megjithatë, Xama theksoi se depozitimet e shqiptarëve në banka, pavarësisht fitimeve të mëdha, nuk kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë, pasi shumë sektorë mbeten të pambështetur dhe bankat, si BKT, preferojnë të investojnë në bono thesari, duke zgjedhur një rrugë të sigurt dhe me risk të ulët.
“Është një fitim që ka ardhur në rritje, sidomos gjatë vitit 2023 dhe 2024, për shkak edhe të rritjes së interesave bankare. Pjesa kryesore e strukturës së fitimit të bankave përbëhet nga të ardhurat që vijnë nga interesi dhe nga gjoba dhe komisione të arkëtueshme. Nëntëmujori i vitit 2024 tregon se të ardhurat nga interesi janë 700 milionë euro, kurse të ardhurat nga gjoba dhe komisionet e arkëtushme janë 141 milionë euro. Paguajmë pranë bankave në nëntë muaj, dhe ato kanë grumbulluar në total 141 milionë euro.
Fakti që bankat dalin me fitim nuk është një lajm i keq, por një lajm i mirë. Disa banka si BKT, që ka numrin më të lartë të depozitave, kanë fituar shumë më tepër se banka të tjera. BKT, për shembull, ka fituar 66 milionë euro gjatë vitit 2023.
Ndërsa banka që ka numrin më të madh të kredive është Credins Bank, por krahasuar me fitimin e BKT-së, ky fitim është më i lartë dhe rreth tre herë më i madh. Kjo tregon se qëllimi kryesor i bankave është të fitojnë nga dhënia e interesave dhe kredive, por BKT ka një rol shumë komod në treg, duke investuar shumicën e aseteve të saj në bono thesari, që përfaqësojnë një risk minimal.
Të gjitha këto depozita të shqiptarëve nuk shkojnë për zhvillimin e ekonomisë, dhe shumë sektorë mbeten të pambështetur."



