Zëvendëspresidenti i sindikatës së mësuesve, Isa Halilaj, deklaratën e Kryeministrit Edi Rama se paga mesatare për mësuesit do të jetë 950 euro, e sheh më shumë si show.
Nga studio e lajmeve në MCN TV, Halilaj tha se një lëvizje e tillë vjen pas rezultateve të dobëta që dolën në Pisa.
Në momentin që deklarohet se mësuesit do marrin 950 euro, ndërkohë që monedha që paguhen mësuesit janë me lekë, tregon se nuk është diçka shumë serioze.
Sot mësuesit kanë dy rroga, rrogën neto dhe bruto, rroga bruto është ajo që pretendohet 950 euro, ndërsa neto, ajo që marrin në shtëpi.
Rrogat e arsimit të mesëm bruto shkon 830 euro, e arsimit 9-vjeçar 780 euro dhe e arsimit fillor 740 euro.
Nuk është ndonjë rritje e madhe, pasi mësuesit do çojnë pak lekë te shtëpia.
Nuk është ndonjë rritje e madhe, nuk kemi një 3% buxhet për arsimin, ndërkohë që vendet e BE e kanë mbi 5%.
Lidhur me deklaratën e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu se po punohet për një program të zhvillimit profesional të mësuesve, deklaroi se në kontratat kolektive është dakordësuar se mësuesi duhet të ketë tre ditë kualifikimi çdo vit dhe se çdo mësues e ka të nevojshëm kualifikimin.
Sipas tij, ato që po bëhen aktualisht trajnime fiktive, duke nënvizuar se kanë kërkuar që trajnimet e mësuesve ti kenë universitetet.
Dhe nëse kanë nevojë universitetet të kenë trajnues brenda universiteteve, mund t’i aplikojnë në fundjava.
Arsimi po kalon në dy standarde në Shqipëri, po u ofrohet ndryshe standardi fëmijëve në Tiranë dhe ndryshe në Valbonë, Tropojë.
Klasat kolektive në terrenin shqiptar nuk i eliminon dot. Ne duhet të përgatisim mësues për klasat kolektive që në universitet.
Ne kemi mësues që jep mësim në 4-5 shkolla, për shkak të numrit të orëve.
Duhet që buxheti për arsimin të shkojë 5% e GDP. Me Kosovën kemi vetëm abetaren të përbashkët, duhet të kemi dhe lëndë të tjera.
Nuk duhen bërë reforma të pamenduara mirë, ndryshe dëmi do jetë shumë i madh.
Arsimi ka nevojë për një buxhet të standardeve europiane dhe reforma të sakta dhe jo eksperimente.
Ekspertët më të mirë duhet të ndërtojnë një strategji të saktë. Duhet i njëjti standard si në Vermosh dhe në Konispol.
Arsimi parashkollor është më keq se çdo hallkë tjetër. Ne kemi kërkuar që ta ketë ministria e Arsimit dhe jo bashkia.
Kam dëgjuar se në kopsht mësohet lexim dhe matematikë, kur në thelb duhet të ishte argëtimi dhe njohja e natyrës.
Arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar, pas sigurisë kombëtare duhet të jetë arsimi.
Nuk do ishte keq që të gjithë fëmijët të kenë një vakt në shkolla.



