
Katër notarë u plagosën pas sulmeve nga delfinët në plazhin Suishohama në prefekturën Fukui të Japonisë qendrore. Një lajm i tillë raportohet nga BBC duke cituar autoritetet lokale. Si pasojë e sulmit një burrë rreth 60 vjeç ka raportuar thyerje të brinjëve dhe duar të kafshuara gjatë notit disa metra larg plazhit dhe një tjetër notar rreth 40 vjeç ka pësuar disa kafshime në krahun e tij në një tjetër aksident, i cili ka ndodhur gjatë ditës së diel. Dy persona të tjerë, u plagosën nga delfinët gjatë së njëjtës ditë. Ky është sulmi i gjashtë i regjistruar këtë vit, aq sa në prefekturën lokale janë vendosur tabela që paralajmërojnë banuesit që të shmangin afrimin apo prekjen e delfinëve. Sipas ekspertëve, ndonëse delfinët zakonisht nuk janë agresivë me njerëzit, noti aty ku ata ndodhen është shkaktar i “stresit të jashtëzakonshëm” për ta, aq sa u shqetëson rutinat e sjelljes. Duke cituar raste të tjera të ngjashme, BBC thekson se në vitin 2013, në Republikën e Irlandës, dy gra u plagosën brenda dhjetë ditësh nga i njëjti delfin. Një vit më vonë, pesë notarë u shpëtuan në brigjet e Irlandës, kur një delfin i rrethoi në mënyrë agresive. Përveç armiqësisë së treguar në disa raste ndaj njerëzve, delfinët sillen në një mënyrë jashtëzakonisht të dhunshme ndaj llojit të tyre ose krijesave të tjera detare.



