
Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë e Shtetit kanë zhvilluar ditën e djeshme një aksion nëpër disa qendra ku mbahen provimet për patentë shofer.
Nga ky aksion 23 persona u arrestuan nën dyshimin se keqpërdorën pozitën dhe autoritetin zyrtar, gjithashtu ata u akuzuan për marrje ryshfeti.
Policia ka njoftuar se të dyshuarit u kanë mundësuar personave të interesuar që të pajisen me patentë shofer të kategorive të ndryshme pa kaluar nëpër testet e nevojshme, në kundërvlerë të parave varësisht prej kategorisë së patentë shoferit, 400 deri në 1000 euro.
Ndër të arrestuarit, disa prej tyre janë zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës.
Mediat kosovare raportojnë se të arrestuar për kryerje të veprës “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje ryshfeti”, janë Filize Krasniqi, drejtoreshë e departamentit për patent shofer, Naser Llugaliu, udhëheqës për patent shofer njësia Prishtinë, Flamur Lekaj, egzaminer, Eduard Brahimaj, egzaminer, Filloreta Ajvazi, zyrtare administrative, Fejzullah Ejupi, zyrtar administrativ, Azem Miftari, egzaminer, Magbule Mehmeti, egzaminere, Flora Ferizi, zyrtare dhe një punëtor sigurimi.
Por jo vetëm zyrtarët mbetën prapa grilave. Në mesin e tyre ishin edhe disa kandidatë për patentë shoferë të cilët dyshohen se kishin korruptuar zyrtarët për ta fituar të drejtën për të vozitur.
Në mesin e të 23 të arrestuarve janë edhe dy serb nën dyshimin se kanë kryer të njëtja vepra penale. Me aktvendim të prokurorit, gjithë të dyshuarve u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Gjatë aksioni Policia ka konfiskuar: dy DVR të kamerave, dymbëdhjetë fletore dhe si disa gjësende të tjera.
“Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka arrestuar 23 persona të dyshuar 21 Shqiptar/Kosovar dhe dy Serb/Kosovar, nën dyshimin se të njëjtit në bashkëveprim, kanë kryer veprat penale të cekura më lart. Gjatë kontrollit në disa lokacione të ndryshme, si prova materiale janë konfiskuar: dy DVR të kamerave, dymbëdhjetë fletore si dhe disa gjësende të tjera. Me vendim të prokurorit të gjithë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje . Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin policor.



