Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisdim me qytetarët e Tiranës ku e ka nisur me Rindërtimin. Rama ka siguruar ata që do të hyjnë në lagjet e reja të Rindërtimit, do të ndjehen shumë më mirë se aty ku kanë jetuar më parë.
Sipas tij Rindërtimi po e kthen fatkeqësinë në një mundësi shumë më të madhe, për të pasur kushte shumë më të mira sa i përket shërbimeve. Ai madje ka thënë se aty ku ka mundësi të rindërtohet pallati aty ku është prishur, po bëhet, ndërsa aty ku nuk ia vlen banorëve po u jepet një mundësi e re.
“Unë besoj që është e natyrshme që secili të ketë atë ngurrimin që nga një shtëpi që e ka jetuar në një pallat, ëpr shumë vite dhe është mësuar me atë destinacion, me atë komunitet të s’postohet në një shtëpi tjetër ku ndërtohet një lagje krejt e re.
Të gjithë ata që do të hyjnë në lagjet e reja, do të ndjehen shumë më mirë. Në një kuptim, fatkeqësia do të kthehet në mundësi më të madhe për të pasur kushte shumë më të mira, jo vetëm sa i përket apartamenteve por gjithë zonës, lagjes, mjedisit përreth.
Lagjet e reja që ndërtohet tërësisht nga e para, na japin mundësinë që qysh në projekt e themele të planifikojmë çdo gjë që i përket një lagjeje, me standardet më të mira. Duke pasur afër shërbimet esenciale, kopshtin, shkollën, qendrën shëndetësore. Sigurisht duke pasur edhe përmasat e sipërfaqes së gjelbër, më të madhe se sa aty ku ka goditur tërmeti.
Ajo që po bëjmë në të gjitha qytetet e goditura, është që aty ku është e mundur dhe ka arsye për të rindërtuar pallatin aty ku është prishur, kjo bëhet. Në Durrës po ndërtohet një numër i caktuar pallatesh, ndërsa ty ku nuk ia vlen ,për vetë cilësinë e mjedisit, banorëve i jepet mundësia për një shtëpi të re e lagje të re”, tha Rama.
Gjithashtu ai bëri me dije se në fillim të shtatorit të gjithë ata banorë të cilët kanë humbur banesat e tyre do ta gjejnë veten në një shtëpi të re.
“Unë besoj për të qenë brenda me të gjitha afatet, puna ka gjithmonë të papriturat e saj, por sa i përket shtëpive individuale deri në fillim të shtatorit të gjithë ata që kanë humbur shtëpinë e tyre do jenë kthyer në shtëpi.
Kjo gjë mund të ndodhë edhe më shpejt, por për ti lënë hapësirë shtyrjeve të mundshme brenda kësaj periudhe do kemi përfunduar me këtë proces”, tha Rama.



