Një turiste gjermane e cila ishte rrëzuar dhe kishte pësuar dëmtime fizike,gjatë eksplorimit të zonës në vendin e quajtur “Kodër Kunje” është shpëtuar dhe është dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës. Ka qenë një banor i zonës ai që ka kërkuar ndihmë nga policia pasi turistja e cila ka qenë e shoqëruar dhe me një person tjetër nuk lëvizte dot pasi kishte thyer këmbën dhe krahun, Njoftimi: Shkodër Policia e Shkodrës dhe banorët e zonës i shkojnë në ndihmë një turisteje gjermane që ishte rrëzuar dhe kishte pësuar dëmtime fizike, gjatë eksplorimit të zonës me një turist tjetër, në vendin e quajtur “Kodër Kunje”. Menjëherë pas telefonatës në sallën operative të Komisariatit të Policisë Shkodër, nga një banor i zonës, i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë, për një turiste gjermane që kishte rrëshqitur në terren malor në vendin e quajtur “Kodër Kunje”, njësia administrative Shosh, bashkia Shkodër, dhe nuk lëvizte dot pasi kishte thyer këmbën dhe krahun, shërbimet e Policisë janë nisur menjëherë drejt këtij vendi, për t’i ofruar ndihmë turistes. Pas mbërritjes në vendngjarje, shërbimet e Policisë kanë transportuar turisten gjermane dhe turistin tjetër që e shoqëronte, nga terreni ku ndodheshin deri në Prekal, në rrugën automobilistike, ku më pas turistët janë marrë nga shërbimet e ambulancës. Pasi i është dhënë ndihma e parë nga ekipi mjekësor, turistja e dëmtuar është transportuar në Spitalin Rajonal Shkodër, në gjendje jashtë rrezikut për jetën. Turistët gjermanë kanë falënderuar banorët e zonës, shërbimet e Policisë dhe ekipin mjekësor, për ndihmën që iu dhanë.



