
Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, ka mbajtur një fjalim sot para të pranishmëve në Zubin Potok, ku kishte ardhur për të festuar festën e serbëve-Vidovdanin.
"Për ne serbët nuk ështe e lehtë të festojmë Vidovdan. Asgjë prej tyre nuk ka qenë e lehte poshtu në tre dekadat e fundit. Por, ashtu si paraardhësit tanë, dhe ne do të ruajmë gjuhën tonë dhe identitetin kombëtar. Dhe këtu, në Kosovë është vendi më i mirë për ne të festojmë Vidovdan", u tha Gjuriç qytetarëve serb.
Ai u dha mesazh serbëve sot, duke u thënë se kanë mbështetjen, dashurinë dhe solidaritetin vëllazëror të të gjithë popullit serb, raporton “Novosti” serb.
"Ajo që mbështetët këtu është e denjë për admirim dhe respekt për ju të gjithë që të qëndroni dhe të mbijetoni në vatrat tuaj. Përkundër të gjitha presioneve, ne nuk do të ndalojmë luftën tonë për mbështetjen e popullit tonë, edhe pse cilindo, kjo gjë e nervozon”, inkurajoi serbët Gjuriç.
"Mesazhi im për ju është që ta mbani njëri-tjetrin, për të ndërtuar unitetin, për të përsëritur zotimin tonë dhe për të mos lejuar që dikush të na ndajë nga njëri-tjetrin".
Madje ai ka paralajmëruar qindra projekte për serbët e veriut. “Shteti i Serbisë i cili është duke zbatuar 149 projekte mbështetëse në Kosovë deri në fund të vitit kjo shifër do të rritet në mbi 350 projekte të ndryshme, të tilla si furnizimi me ujë këtu në Zubin Potok, të cilën sot po e vëmë në funksion”, citohet të ketë thënë Gjuriç.
Pas këtij adresimi, Gjuriç është takuar pa praninë e mediave me përfaqësuesit e serbëve në veri.
Ndërkohë, nga ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës kanë paralajmëruar se nëse Gjuriç nuk i përmbahet agjendës së përcaktuar, atëherë ai do të arrestohet.
Disa qindra qytetarë serbë u mblodhën sot në Gazimestan, në veri të Prishtinës, për të shënuar Ditën e Shën Vidit, të njohur më shumë si Vidovdan. Kremtimi i kësaj dite ndërlidhet me përvjetorin e 627 të Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitoren shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Llazar. Dita e Shën Vidit është njëra prej festave më të rëndësishme për serbët e Kosovës, e cila në periudhën e dominimit të presidentit serb Sllobodan Millosheviq u kthye në kulmin e nacionalizmit në ish-Jugosllavi, që nxiti luftërat në Ballkan. Ndryshe, në vitin 1989, më 28 qershor, Millosheviqi pati tubuar në Gazimestan rreth 1 milion serbë. (Përgatiti Zana Beja)



