Një vit pas tërmetit të 26 nëntorit, i cili la pas 51 viktima dhe 915 të plagosur, shumica e qytetarëve që mbetën pa strehë nuk kanë ende shtëpitë e premtuara. Ndërkohë që qeveria trumbeton me forcë se rindërtimi vazhdon, në tre prej qyteteve më të goditura, janë të pakta objektet e përfunduara.
Në Durrës, sipas kryebashkiakes Emiriana Sako, rindërtimi është në proces.
“Nga 1024 banesa që janë miratuar në Këshill Bashkiak, ka filluar puna për rreth 430 njësitë e para individuale. Ka filluar puna me dy pallatet e para në qytetin e Durrësit. Do të ndërtohen rreth 30 të tillë”, tha Sako një ditë më parë për TvT.
Ndërkohë, në Shijak, rindërtimi duket se ka ecur më shpejt. Në një lidhje me Skype me edicionin e lajmeve në TvT, kryebashkiaku Elton Arbana tha se deri tani kanë përfunduar 50 banesa individuale. Sipas tij, 50 të tjera janë dorëzuar sot.
“Ka nisur puna për rindërtimin e banesave individuale, 567 banesa individuale po ndërtohen. 50 kanë mbaruar dhe 50 të tjera bëjmë dorëzimin nesër”, tha Arbana.
Në qarkun e Lezhës, me tre njësitë: Kurbin, Lezhë dhe Mirditë, rindërtimi ka përfunduar vetëm në shkolla. Prefekti Gjokë Jaku i tha TvT se po punohet në kantierin që do të strehojë 800 familje.
“Në Kurbin kemi një kantier ndërtimi, dalin 800 apartamente. Kemi bërë rindërtimin tërësor dhe restaurimin e 3 shkollave. Në Lezhë ka nisur pallati i parë prej mesit të tetorit”, tha Jaku.



