
Fatmir Xhafaj, i cili dha sot dorëheqjen nga posti i Ministrit të Brendshëm, i është përgjigjur akuzave që janë bërë në adresë të tij nga opozita, pas aktit të dorëheqjes.
Me anë të një statusi në "Twitter", Xhafaj i ka kthyer një përgjigje opozitës, duke e sfiduar atë që tani që nuk është më ministër t'i provojë akuzat e hedhura ndaj tij.
“Opozita me komentet për dorëheqjen time konfirmon edhe një herë degradimin e saj politik. Fatkeqësi për ata vete, por edhe për qytetarët. I sfidoj ata e cilindo, tanimë që nuk do të jem më Ministër të provojnë akuzat e bëra ndaj meje si Ministër”, shkruan Xhafaj.
Ai sqaron edhe njëherë se dorëheqja është bërë me vullnetin e tij e bazuar në principe dhe vlera njerëzore e institucionale.
"I siguroj të gjithë se dorëheqja ime është tërësisht me vullnetin tim të lirë dhe e bazuar në principe dhe vlera njerëzore e institucionale. Ajo është tërësisht respekt për veten, e për këto standarde të shenjta për mua", vazhdoi Xhafaj më tej.
Xhafaj shprehet se i përbuz me neveri ligësinë e këtyre personave të pafytyrë më heshtjen e tij.
“Përbuz shpifjet e komentet neveritëse të kujtdo që s'mund të kuptojë dot se ka dhe njerëz në politikë që mund të jenë të lirë e vetvetja, në çfarë mendojnë e çfarë bëjnë. Ligësinë e pafytyrësinë e tyre thjesht e neveris me heshtjen time.Koha mbetet gjykatësi më i mirë për cilindo”, shkruan ai më tej.
Xhafaj falenderoi edhe miqtë, qytetarët dhe partnerët me të cilët punoi ku një pjesë e madhe ishin nga socialistë, me të cilët kam bërë rrugë të gjatë në jetën time.




