
Numri i të vdekurve nga epidemia e legjionelës që shpërtheu në qytetin juglindor polak të Resovias (Rzeszów), jo shumë larg kufirit me Ukrainën, ka shkuar në 16. Shifra konfirmohet nga autoritetet shëndetësore, të cituara nga mediat lokale.
Dy viktimat e fundit të bakterit vdekjeprurës Legionella janë pacientët e shtruar në spital në datat 26 dhe 27 gusht.
Inspektorati Shëndetësor i Resovisë saktësoi se të 16 personat që vdiqën po trajtoheshin edhe për gjendje të tjera mjekësore.
Rreth 155 persona të infektuar me Legionella janë shtruar në spitale që nga shpërthimi i epidemisë në Poloni, por shumica e pacientëve (104) janë në Rzeszow. Autoritetet shëndetësore ende nuk e kanë gjetur burimin e kontaminimit.
Legjionela nuk është ngjitëse dhe nuk transmetohet drejtpërdrejt nga personi në person, por nëpërmjet aerosoleve dhe mund të shumohet në sistemet e ujit dhe ajrit të kondicionuar. Të moshuarit, duhanpirësit dhe njerëzit me sistem imunitar të dobësuar janë veçanërisht vulnerabël ndaj sëmundjes.



