Kryeministri Edi Rama thotë se porti turistik i Durrësit do të hapë 12 mijë vende të reja pune. Gjatë një takimi në Durrës, Rama tha se projekti për shndërrimin e portit në port turistik do ta kthejë Durrësin në një nga destinacionet turistike më të kërkuara në Mesdhe.
“Një copëz e të njëjtave standarde në Dubai do të jetë këtu në Durrës. 12 mijë vende pune, paga shumë më të mira se ato që janë sot. Apartamente me standarde të larta. Do të shkojmë një hap më tutje. Kemi folur për Malin e Zi. Ka ndryshuar në mënyrë radikale. Është vendi më i zhvilluar i të gjithë Ballkanit. Ka ndryshuar në aspektin e imazhit ndërkombëtar. Ka një port turistik që është kthyer në instrumentin e përmbysjes së të gjithë imazhit të vet. Ky investim do të kthejë Durrësin ndër më të kërkuarit në Mesdhe”, tha ai.
Rama tha se investimi në port do të sjellë përfitim ekonomik për të gjithë zonën.
“Një aeroport e ka raportin e fitimit 1 me 27 euro, një port e ka 1 me 18. Llogaritni impaktin me dy milionë euro investim”, tha ai.
Shndërrimi i portit të Durrësit do të bëhet nga kompania e Emirateve të Bashkuara, “Emar”, e cila synon investimin e një shume me vlerë 2 miliardë euro për ngritjen e infrastrukturës së re të portit për qëllime turistike dhe ndërtimin e rezidencave moderne dhe hotelerisë.



