Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo, telefonatën mes Presidentit a merikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin, e sheh si fillimin e një rrugëtimi për të arritur një marrëveshje të plotë.
Nga studio e lajmeve të MCN TV, ai deklaroi se është ende herët për të folur për një marrëveshje paqeje.
Është një marrëveshje që është e paplotë, veç fillimi i rrugëtimit për të arritur në një marrëveshje të plotë, e cila nuk dihet sa do zgjasë ky rrugëtim dhe çfarë çështjesh do të përfshihen në të.
Është ende herët për të folur për një marrëveshje. Europianët mendojnë se sa më shumë të zgjasin negociatat për arritjen e një marrëveshje të negociuar, aq më në favor është për Putinin, i cili duke qenë në avantazh në terrenin e luftimeve shpreson që marrëveshja të mos jetë shumë e shpejtë në mënyrë që të kapë territore ukrainase dhe t'i paraqesë në letrat kredenciale në negociatat që mund të vijnë.
Fakti që nuk po ndalojnë veprimet luftarake në terren është në favor të Putinit.
Është shpejt për të thënë se jemi afër një marrëveshjeje paqeje, do të duhet të sheshojnë shumë çështje që do të marrin kohën e tyre.
Se ka të bëjë me fatet dhe çështje shumë të rëndësishme të sovranitetit dhe integritetit territorial, të një vendi siç është Ukraina.
Në bisedën telefonike Trump dhe Putin nuk ka ende gjasa për të pasur një marrëveshje të plotë, se ajo që u arrit është diçka e përkohshme dhe e pjesshme që ndalon veprimet ushtarake për 30 ditë nuk do të goditet rrjeti energjetik në Ukrainë.
Nga bisedimet e së dielës në Arabi fillojnë bisedimet e nxehta, por ne nuk e dimë se me çfarë platformash negociuese do të shkojnë palët në tavolinë.
Rusët jam i bindur që do të shkojnë me një platformë maksimaliste, për të mbajtur territoret e pushtuara, për të legjitimuar pushtimin e Krimesë, për të mos lejuar futjen e Ukrainës në NATO dhe për të reduktuar forcën ushtarake ukrainase për të mos pasur pretendime në të ardhmen.
Rusët nuk duan që NATO t'iu shkojë në derën e shtëpisë.



