Firma franceze e arkitekturës “Coldefy” ka zbuluar detaje nga ndërtimet e reja që do të ngrihen në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë.
Në një postim në rrjetet sociale shfaqet një qiellgërvishtës, ku duket se shkrihen dy kulla në një. Sipas firmës kulla e re do të integrojë jetën bashkëkohore urbane të qytetit, duke respektuar traditën lokale.
Kati përdhes i dedikohet hapësirave të shitjes, që sipas “Coldefy” e gjallërojnë fasadën dhe kontribuojnë në kulturën e gjallë të këmbësorëve të zonës.
Në katet e sipërme ndërtesa do të ketë njësi banimi dhe një hotel me kapacitet të vogël, si dhe hapësira për pishina, e ambiente të tjera luksoze, me pamje panoramike nga Tirana.
“Koncepti arkitektonik frymëzohet nga tradita e pasur e Xhamllikut, artizanët lokalë, veçanërisht modelet dhe teksturat e ndërlikuara që gjenden në qeramikën tradicionale”, thotë "Coldefy", duke shtuar se këto “referenca kulturore do të pasqyrohen edhe në fasadën e ndërtesës”.
Kujtojmë që “Tirana 2030”, parashikon ngritjen e disa kullave, në zona të ndryshme të kryeqytetit. “Coldey” në bashkëpunim me “Atelier 4”, është përfshirë edhe në projekte të tjera, si Qendra e Administratës Publike.



