
Për pak mbushen 35 vite nga rënia e regjimit diktatorial në Shqipëri. Por çfarë është bërë gjatë këtyre dekadave? A janë dënuar siç duhet krimet e komunizmit? A kanë marrë drejtësi familjarët e viktimave? Çfarë mungon ende dhe cilat masa duhen marrë sa nuk është shumë vonë?
Besim Ndregjoni, kreu i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, tha në “MCN Informacion” se Shqipëria është i vetmi vend në Europë që ende nuk ka dënuar zyrtarisht krimet e komunizmit.
Sistemi komunist në Shqipëri ka lënë një bilanc të rëndë krimesh dhe ne nuk mund të pretendojmë drejtësi pa dënuar këto krime.
Jemi i vetmi vend në Europë që ka vuajtur dhe ka shumicw sw popullsisë së prekur nga persekutimi komunist dhe i vetmi që nuk ka një ligj të posaçëm për dënimin e krimeve të diktaturës.
Në vend ka munguar vullneti politik. Është përdorur shpesh slogani ‘Poshtë diktatura’, por ligjet e diktaturës nuk janë vënë kurrë në funksion për dënimin e krimeve.
Të gjitha vendet e Europës Lindore që kanë pasur sisteme komuniste i kanë dënuar krimet e atyre regjimeve. Vetëm Shqipëria jo. Demokracia këtu ende nuk funksionon plotësisht.
Edhe Zenel Drangu, kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve në Shkodër, kërkon miratimin e një rezolute për dënimin e krimeve të komunizmit dhe kritikon institucionet historike.
Sipas meje dhe ndaj të njëjtin mendim me z. Ndregjoni, problemi nis që nga historia jonë. Historianët duhet të thonë qartë: a është Enver Hoxha hero apo kriminel?
Në vitin 2006 u miratua një rezolutë për dënimin e krimeve të komunizmit, por nuk u zbatua. E njëjta gjë u përsërit edhe në vitin 2009, pa asnjë rezultat konkret.
Ai drejton gishtin nga historianët, të cilët sipas tij duhet ta ndajnë faktin a është Enver Hoxha, hero apo kriminel në atë periudhë.
Enver Hoxha ende mban dy dekorata ‘Hero i Popullit’ dhe ‘Hero i Punës Socialiste’. Historianët nuk kanë punuar sa duhet për të treguar realisht nëse ai duhet të konsiderohet hero apo kryekriminel, pasi ka kryer krime që, siç thonë shumë studiues, i kalojnë edhe ato të Stalinit.



