Presidenti Donald Trump ka nënshkruar urdhrin ekzekutiv për të pezulluar përkohësisht të gjithë emigracionin në SHBA për shkak të koronavirusit.
Urdhri do të zgjasë për 60 ditë dhe më pas do të rishikohet edhe mundësia nëse mund të zgjatet ky afat kohor.
Njoftimi i republikanit Trump u kritikua nga demokratët, sipas të cilëve, ky ishte një veprim për të përfituar nga kriza e koronavirusit me idenë për të zbatuar një qëllim politik të caktuar, përpara zgjedhjeve të tre nëntorit.
“Në mbrojtje të punëtorëve amerikanë, unë sapo kam nënshkruar një urdhër ekzekutiv që pezullon përkohësisht emigracionin në Shtetet e Bashkuara. Ky veprim do sigurojë që shtetasit amerikan të papunë do të jenë të parët që do futen në vendet e punës, ndërsa ekonomia jonë do të rihapet”, tha Trump në konferencën e përditshme për koronavirusin nga Shtëpia e Bardhë.
Ai theksoi se gjithashtu do të ruajë pajisjet shëndetësore për “pacientët amerikanë” të prekur nga koronavirusi.
Juristët e Shtëpisë së Bardhë punuan tërë ditën për të shkruar urdhrin, duke nxitur disa zyrtarë të deklaronin se nënshkrimi i këtij dokumenti mund të presë deri të enjten, por ndihmësit e Presidentit e përshkruan Trump si të paduruar për t’a firmosur atë.
Trump fitoi si President i Shteteve të Bashkuara në vitin 2016, duke premtuar se do të godasë emigracionin e paligjshëm në vend, ndërsa e ka shndërruar këtë premtim edhe në një çështje kryesore të presidencës së tij.
Mirëpo, shumë nga lëvizjet e tij kryesore për të ndaluar emigracionin në SHBA, janë kundërshtuar në gjykatë, kurse ekspertët ligjorë thanë se edhe ky urdhër ekzekutiv gjithashtu mund të përballet me padi.
Një zyrtar i administratës i njohur me planet e tij kishte thënë më herët se urdhri do të përqendrohej në parandalimin e njerëzve nga marrja e lejes për të jetuar dhe punuar në Shtetet e Bashkuara.
Kjo do të përfshinte ata që aplikojnë për kartat e gjelbra të bazuara në punësim dhe bashkim familjar përmes poseduesve të tanishëm të kartave të gjelbra që nuk janë shtetas.



