Eksperti i Ekonomisë Pano Soko tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se abuzimi me fondet publike është thembra e Akilit e Shqipërisë në procesin e hapjes së grup-kapitujve për integrimin në BE.
Soko megjithatë mendon se patronazhimi që do t’i bëhet Shqipërisë nga asistentë të huaj do të ndikojë për mirë. Soko theksoi se Shqipëria i ka ligjet të mira, por mungon vullneti politik për t’i zbatuar, duke shtuar se 70 për qind e tenderave janë me flamur të kuq.
“Që të hyjë në BE Shqipëria duhet të bëhet një vend i standard-eve të BE. Kur Europa të merr në patronazh, është që të të rrisë dhe të edukojë me standardin e BE. Thembra e Akilit për vende si Shqipëria është çështja e transparencës dhe abuzimet me fondet publike. Partnerët janë në dijeni të këtij fakti. Jo më kot ky grup kapitull që u hap sot është më i gjatë. Do jenë sërish këta kapituj që do ta mbyllin procesin. Jemi vendi me nivelin më të lartë të korrupsionit në Europë. Reforma në administratën publike, reforma në prokurimet publike, janë një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme. S’është çështje mekanizmash, por vullneti politik. Unë nga gjithë ky proces i hapjes së kapitujve do të gëzoj patronazhimin që do t’i bëhet qeverisë shqiptare nga asistentë të huajë, që do t’i rrijë te koka, që do të shohë si tenderon, si i prokuron shërbimet publike, si jep koncesionet dhe tokën publike. Të gjithë tenderat janë me flamuj të kuq, janë në 100 për qind të fondit limit. Tenderat bëhen që shteti të fitojë lekë, ky si mekanizëm ka humbur fare. S’është bërë garë, sepse gara do reflektohej diku. Mungon një garë e tillë sepse është vullneti për të vjedhur. Prokurimet publike çalojnë te vullneti. Fakti që janë mbi 70 për qind e tenderave me flamur të kuq, që ka dyshim të fortë për abuzim. Kjo do adresohet përmes hapjes së kapitullit për kontrollin e financave publike. Ne ligjet i kemi të mira, duhet zbatimi, vullneti politik i njerëzve. Monitorimi i ndërkombëtarëve në vende të tjera ka pasur rezultat".
I pyetur mbi teknologjinë e re në prokurime, Soko tha:
“Merre makinën sado të mirë të duash, do shtypë njerëz po nuk është shoferi në rregull. Bëje sistemin sado të mirë, nëse s’ka vullnet, por shkon për të vjedhur ç’lidhje ka sistemi”.



