Në redaksinë e emisionit “Xhadat” janë drejtuar fermerët e Çermë- Sektorit, të Bashkisë Divjakë për shkak se vendgrumbullimi ku ata thajnë dhe tregtojnë drithërat bujqësore është privatizuar para disa muajsh. Si pasojë qytetarët detyrohen t’i hapin drithërat në rrugë.
“Jemi drejtuar tek ju sepse kemi një problem shumë të madh me Bashkinë Divjakë, pasi ka privatizuar pronën publike edhe ja ka shitur një personi të tretë. Kjo pronë ka qenë publike sepse ne këtu hidhnim grurin, misrin, fasulen, lulediellin, por tani i është shitur një personi të tretë, pas 30 vitesh. Ne tani nuk kemi ku të hedhim produktet tona. Unë kam 4 hektarë grurë edhe s’kam ku ta hedh. Vetëm të zë rrugët. Këtu vinin tregtarët, por tani nuk tregtojmë dot më, se njëri e than këtu, njëri në vend tjetër, njëri s’e than fare. Kemi që në dhjetor që nuk e hedhim dot më. Kërkojmë të vihet drejtësi nga zoti Edi Rama dhe nëse nuk merren masa unë grurin do ta hedh para Kryeministrisë, se unë nuk kam vend tjetër ku të hedh grurin. Tani fermerët zënë rrugën. Disa e hedhin grurin këtu, por janë miqtë e pronarit. Neve të tjerëve s’na lejojnë”- shtuan banorët.
Lidhur më këtë problematikë, emisioni “Xhadat” u drejtua pranë Njësisë Tërbuf, ku Fadil Balliu, administratori i kësaj njësie u shpreh:
“ Kam pasur ankesa nga njerëzit sepse duan të thajnë drithërat, po është një problem sepse ajo tokë është shitur në 91’, dhe pronari i tokës ka zgjedhur ta rrethojë tani vonë, sepse ka pasur çështje gjyqësore. Kaq di! Për më tepër hyni tek arkiva e Bashkisë Divjakë, sepse aty janë të gjitha shitblerjet. Për çdo document aty janë. Janë privatizuar shumë toka që më parë. Di që zotëria që e ka pasur ka ndjekur shumë gjyqe…
Është përdorur nga njerëzit për të tharë drithërat bujqësore dhe gjatë kohës që nuk përdorej nga njerëzit krijohej pazari i rrobave. Unë kam 1 muaj që kam filluar punë këtu dhe nuk është se kam informacion të saktë fare se si është vepruar”.
Pas kësaj përgjigjeje “Xhadat u interesua tek Bashkia Divjakë, ku nënkryetari i saj, Avdi Snalla sqaroi:
“ Në dijeninë time pronari ka bërë një privatizim në vitet 91’ dhe e ka vazhduar në rrugë ligjore. Ka një vendim gjykate që e ka fituar. Ka ardhur edhe përmbarimi që kanë bërë ekzekutimin e vendimit. Nuk ka vend Bashkia Divjakë, truall që t’u ofrojë fermerëve një lëm. E dimë këtë problem edhe nuk është problem i sotëm, por është shumë e vështirë. Nuk i jepet një zgjidhje me një fjalë goje, sepse nuk ka vend, e lëmë pastaj pjesën e investimit për të bërë lëme. Në këtë moment nuk mund të bëhet ndonjë gjë nga Bashkia, pastaj mbrapa… Fermeri ta hapi tek toka e vet. Korr grurin dhe ta thajë aty”.
Pra, duke qartë që Bashkia e Divjakës nuk iu ofron asnjë zgjidhje fermerëve dhe këtyre të fundit nuk iu mbetet gjë tjetër vecse të zaptojnë rrugët.



