Pavarësisht thirrjeve për ndërprerje të menjëhershme të sulmeve, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar të vazhdojë luftën kundër Hamasit.
Të paktën 45 njerëz u vranë në Rafah nga sulmi gjatë të dielës, ndërsa qindra të tjerë u trajtuan për djegie të rënda, fraktura dhe plagë të copëzave.
Netanyahu tha se sulmi ishte një "fat tragjik", por shtoi se: "Unë nuk kam ndërmend ta përfundoj luftën përpara se të arrihet çdo qëllim".

Ai tha se ishte jetike që Izraeli të merrte "çdo masë paraprake të mundshme" për të mbrojtur civilët dhe këmbënguli që Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) po përdornin "përpjekjet e tyre më të mira për të mos dëmtuar ata që nuk janë përfshirë" në konflikt.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një takim urgjent të martën, me kërkesë të Algjerisë, për të diskutuar sulmin në Rafah.
Në një deklaratë të hënën, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres tha se sulmi kishte "vrarë shumë civilë të pafajshëm që kërkonin vetëm strehim nga ky konflikt vdekjeprurës". "Nuk ka vend të sigurt në Gaza. Ky tmerr duhet të ndalet," tha ai.
Edhe organizatat ndërkombëtare janë rreshtuar për të dënuar sulmin, me BE-në që këmbëngul që Izraeli të respektojë një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) javën e kaluar për të ndaluar sulmet në Rafah.
Pavarësisht vendimit të GJND-së, Izraeli është zotuar të vazhdojë me pushtimin e Rafahut, me zyrtarët që këmbëngulin se vendimi i linte hapësirë sulmit në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Izraeli filloi sulmin e së dielës në Rafah disa orë pas sulmit të parë raketor të Hamasit në Tel Aviv në disa muaj. Videot nga vendi i ngjarjes në zonën Tal al-Sultan të dielën mbrëma treguan një shpërthim të madh dhe zjarre intensive.



