
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se Covid-19 nuk përfaqëson më një emergjencë globale shëndetësore.
Deklarata përfaqëson një hap të madh drejt përfundimit të pandemisë dhe vjen tre vjet pasi OBSH deklaroi për herë të parë nivelin e saj më të lartë të alarmit mbi virusin.
Zyrtarët thanë se shkalla e vdekshmërisë prej virusit kishte rënë nga një kulm prej më shumë se 100.000 njerëz në javë në janar 2021, në pak më shumë se 3500 më 24 prill.
Kreu i OBSH tha se të paktën shtatë milionë njerëz vdiqën në pandemi.
Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se shifra e vërtetë ka gjasa të jetë më afër 20 milionë vdekjeve, gati tre herë më shumë se vlerësimi zyrtar dhe ai paralajmëroi se virusi mbetej një kërcënim i rëndësishëm.
Dje, Komiteti i Emergjencave u mblodh për herë të 15-të dhe më rekomandoi që të shpallja fundin e emergjencës së shëndetit publik ndërkombëtar.
Unë e kam pranuar atë këshillë. Prandaj me shumë shpresë e shpall Covid-19 të përfunduar si një emergjencë globale shëndetësore.
Ai shtoi se vendimi ishte shqyrtuar me kujdes për disa kohë dhe ishte marrë në bazë të analizës së kujdesshme të të dhënave.
Por ai paralajmëroi se heqja e nivelit më të lartë të alarmit nuk do të thotë se rreziku ka mbaruar dhe tha se statusi i emergjencës mund të rikthehej nëse situata ndryshonte.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli fillimisht Covid-19 si një emergjencë të shëndetit ndërkombëtar në janar 2020.
Kjo sinjalizoi nevojën për veprim të koordinuar global për të mbrojtur njerëzit nga virusi i ri.
Tani do t’i mbetet vendeve individuale që të vazhdojnë të menaxhojnë Covid-in në mënyrën që ata mendojnë më mirë.



