Gjykata britanike ka dënuar me 10 muaj burg një shtetas shqiptar, për përfshirjen e tij në trafikun e emigrantëve në Angli. Mirëpo tentativa e tij për trafik, rezultoi fatale në muajin tetor të vitit 2019. Atë kohë, 39 shtetas emigrantë nga Vietnami gjetën vdekjen në kamionin që shkonte në Britani.
Shtetasit vietnamezë, të moshës midis 15 dhe 44 vjeç, u mbytën në kamion frigoriferik gjatë rrugës nga Zeebrugge në Belgjikë për në Purfleet në Essex të Britanisë, shkruan BBC.

(39 viktimat)
Gjykata e Old Bailey dënoi me 10 muaj burg shqiptarin Gazmir Nuzi, 43 vjeç, banues në Tottenham, në veri të Londrës. Vitin e kaluar, ai pranoi akuzën, duke thënë se donte të lehtësonte rrugën për emigrantët.
Babai i tre fëmijëve e kishte pranuar rolin e tij të kufizuar në kontrabandë, por mohoi të ishte anëtar i grupit të krimit të organizuar, edhe pse udhëtimet e tij drejt territorit britanik ishin të shumta. Në Gjykatë u tha se shtetasi shqiptar mori nipin e tij dhe një burrë tjetër pasi ata ishin kontrabanduar në Britani në pjesën e pasme të një kamioni më 11 tetor 2019. Pak më vonë, 39 personat vdiqën teksa ndoqën të njëjtën rrugë, pasi kishin qenë në kontejner për të paktën 12 orë.

(Kamioni ku u zbuluan viktimat)
Rasti bëri bujë në mediat britanike. Megjithatë, Prokuroria tha se Nuzi nuk ishte anëtar i ndonjë bande kriminale. Nuzi ka muaj që është në paraburgim dhe i tha gjykatësve se duhet të dalë nga qelia, sepse ka shlyer dënimin tashmë. Shtatë persona të tjerë, të dyshuar po për këtë rast, të trafikut të 39 njerëzve, janë ende në proces.



