
Një akt guximi dhe humanizmi i jashtëzakonshëm ka bërë që Levian Goga, 41-vjeçar nga Berati, të fitojë nënshtetësinë greke pas 20 vitesh emigracion në Greqi.
Ngjarja ndodhi në lumin Arachthos, në zonën e Neokorit të Artës, ku dy fëmijë po rrezikonin të mbyteshin.
I ftuar në emisionin “Zgjohu me MCN”, Goga rrëfeu se nuk hezitoi asnjë çast për të ndërhyrë, pavarësisht se zona ishte e thellë dhe e rrezikshme.
Nuk mendoja për asgjë tjetër, vetëm për t’i shpëtuar. U futa në ujë duke i menduar si fëmijët e mi. Bëra atë që do të bënte çdo prind.
Gjatë përpjekjes theva këmbën, por ia dola të nxjerr nga lumi dy fëmijët, të cilët më pas, fatkeqësisht, nuk arritën të mbijetojnë në spital.
Jam krenar që i shpëtova nga uji, por zemra më dhemb që ata humbën jetën. Kam pësuar një tronditje të madhe psikologjike pas asaj ngjarjeje.
Ai tha gjithashtu se e viziton shpesh familjen e fëmijëve që humbën jetën dhe vendin e ngjarjes, duke kujtuar momentin tragjik.
Shkoj çdo javë në varreza. Nuk harrohet ajo ditë. U përpoqa të bëja të pamundurën, por ishte shumë e vështirë. Lumi ishte 6.5 metra i thellë dhe askush nuk guxonte të hynte.
Për këtë akt vetmohimi, shteti grek vendosi ta nderojë Gogën duke i dhënë atij dhe fëmijëve të tij nënshtetësinë greke.
Edhe pse kam 20 vjet në Greqi, vetëm tani mora pasaportën.
E falënderoj shtetin grek për këtë vlerësim. Unë dhe fëmijët u pajisëm me pasaportë, bashkëshortja pritet ta marrë pasaportën pas përfundimit të procedurave zyrtare.



