PD i shpalli ‘lufte’ Reformës në Drejtësi, por ne do votojmë ligjet, ka deklaruar pak më parë, kryeministri Edi Rama në seancën plenare të Kuvendit. Maxhoranca dhe opozita pritet të bashkojnë votat vetëm për një prej projektligjeve që cilësohet si më kryesori për luftën kundër korrupsionit. Bëhet fjalë për projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ose siç njihet ndryshe, ligji i SPAK-ut. Ky është i vetmi projektligj që opozita ka deklaruar se do ta votojë, për shkak se në këtë draft janë reflektuar shqetësimet e pakicës, lidhur me kontrollin e figurës dhe pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve të strukturave antikorrupsion.
Ndërkohë Partia Demokratike ka çuar dje në Gjykatën Kushtetuese ligjin për Vettingun. “Sot jemi në një ditë kur PD i ka shpallur luftë reformës në drejtësi. Më 22 korrik votoi me pahir Reformën Kushtetuese, duke shpallur madje dhe fitoren e si ai prifti që kërcente nga belaja, PD, ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese për të rrëzuar themelin e reformës. Sot axhenda e këtij Kuvendi është vazhdimi me vendosmëri i rrugës për të çuar para reformën, do apo nuk do PD, i pëlqen apo nuk i pëlqen, PD, voton apo nuk voton PD. Faktikisht dihet botërisht se fati i reformës por dhe fati i procesit historik për hapjen e negociatave lidhet edhe me 7 ligje prioritare”, deklaroi ndër të tjera Edi Rama.



