Një rregullore e propozuar rishtazi në Indi mund të marrë masa kundër pilotëve të cilët përdorin parfum.
Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Aviacionit Civil të Indisë (DGCA), e cila mbikëqyr industrinë e aviacionit të vendit, propozon një përditësim të akteve të saj nënligjore në lidhje me konsumin e alkoolit.
Tashmë ka referencë edhe për gjëra të tjera përveç pijeve alkoolike që mund të shkaktojnë një test pozitiv të frymëmarrjes, përkatësisht shpëlarja e gojës. Megjithatë, një seksion i ri, përmend në mënyrë specifike parfumin.
Asnjë anëtar i ekuipazhit nuk duhet të konsumojë asnjë ilaç/formulim apo të përdorë ndonjë substancë të tillë si gargarë/xhel dhëmbësh/ parfum apo ndonjë produkt të tillë që ka përmbajtje alkoolike.
Kjo mund të rezultojë në test pozitiv të analizuesit të frymëmarrjes. Çdo anëtar i ekuipazhit që po kalon një mjekim të tillë duhet të konsultohet me mjekun e kompanisë përpara se të ndërmarrë detyrën e fluturimit.
Ndërsa parfumet mund të përmbajnë sasi të vogla alkooli, është e paqartë nëse përdorimi i parfumit në trupin e dikujt mund të shkaktojë një test të rremë pozitiv të frymëmarrjes.
Kërkesat zyrtare të sigurisë ajrore për DGCA u ratifikuan në gusht 2015. Shtesa e propozuar është për koment publik deri më 5 tetor.
Dehja e pilotëve ka qenë herë pas here një problem në industrinë e aviacionit.
Në vitin 2018, Katsutoshi Jitsukawa, një pilot i Japan Airlines, u dënua me 10 muaj burg pasi një test frymëmarrjeje i marrë menjëherë pas ngritjes, tregoi se niveli i tij i alkoolit në gjak ishte nëntë herë më i lartë se kufiri ligjor.



