
Ashtu siç pritej, zgjedhjet evropiane të së dielës provuan rritjen e partive populiste euroskeptike nëpër kontinentin e vjetër. Partia e Marine Le Pen në Francë, Bashkimi Kombëtar, parti e ekstremit të djathtë, triumfoi mbi partinë e presidentit Emmanuel Macron, pavarësisht se me një rezultat të ngushtë.
Të Blertët siguruan fitoren më të madhe, duke u rritur nga 50 përfaqësues në 2014, në 70 të dalë nga zgjedhjet e djeshme. Ata janë renditur të parët në Gjermani, duke lënë pas socialdemokratët me 22 %.
Zvogëlimi i mbështetjes për partitë e qendrës do t’i bëjë më të vështira negociatat për postet kyçe në institucionet e BE-së, përfshirë atë të pasuesit të Jean Claude Juncker-it si president i Komisionit Europian.
Në tërësi, në bazë të rezultateve paraprake, partitë evropiane të qendrës së djathtë mbeten grupi më i madh në PE, por kanë rënë në 179 vende, nga 221 që ishin më parë.
Socialistët dhe demokratët bien nga 191 në 150 vende, çka e bën të nevojshëm koalicionin me Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve (ALDE) me 107 eurdeputetë.
Europa e Kombeve dhe Lirisë, grupi ku bëjnë pjesë populistët dhe partitë e ekstremit të djathtë në vende si Frnaca dhe Italia, morën 58 vende, ng 18 që kishin 5 vjet më parë.
Partia e Matteo Salvinit ka shënuar një rritje të madhe, nga 5 vende në 28 të tilla. Një rritje të ngjashme pati edhe partia e Nigel Farage në Britani. “Një Europë e re lindi. Jam krenar që Lega merr pjesë në rilindjen e re të Europës”, tha Salvini pas daljes së rezultateve të para.
Manfred Weber, kandidati kryesor për presidencën e komisionit nga grupimi i PPE-ve është shprehur se pavarësisht tkurrjes së qendrës, nuk të kërkojë koalicion me ekstremin e djathtë. “Nuk jemi në festë, sepse kemi humbur vende. Por jemi të lumtur që jemi ende grupi më i madh në PE”, tha ai, duke e lënë të hapur mundësinë e aleancës me grupimin ALDE.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës ishte më e madhja që prej vitit 1994. Në votim morën pjesë 50,95% e europianëve me të drejtë vote, çka përmbys trendin rënës të pjesëmarrjes në zgjedhje në 4 dekadat e fundit.



