Pedagogu i kriminologjisë, Ervin Karamuço, flet për skemën korruptive të inceneratorëve, duke hequr paralele me një situatë të ngjashme në Itali.
Në studion e lajmeve të MCN TV, ai tha se në vitin 2009 në Kalabri, nga një operacion i antimafias italiane, u arrestuan mbi 20 pjesëtarë të Ndraghetas dhe Camorras, duke u parë kombinim dhe koordinim mes dy organizatave mafioze të plehrave.
Sipas tij, mijëra tonelata plehra çoheshin në zonën e Campania, në Kalabri, duke u kthyer mirëfilli në trafik.
“Për herë të parë në vitin 2019, nga antimafia italiane, hapet një kapitull që flet për eko-mafia, skemë mafioze me tendera dhe pastrim parash. Pyetja është ku çohen këto lekë, të cilat do të vihen në riciklim të ligjshëm. Ka pasur herë pas here oferta dhe për Shqipërinë, për importin e mbetjeve të huaja dhe nga Italia. Nuk mendoj se është një kapitull i mbyllur, për sa kohë do të vihen në punë gjithë këta inceneratorë. Kjo tregon se sa të rrezikuar jemi nga krimi italian, i cili është në bashkëpunim me atë shqiptar. Kjo është një çështje në hetim nga ana e Shqipërisë, në këtë hetim mund të dalin dhe të tilla skema që mund të jenë planifikuar, apo kanë nisur të zbatohen. Kjo nuk është një skemë shqiptare, kemi shumë bashkëpunim me Camorra dhe Ndragheta nga ana kriminale”, u shpreh Karamuço.
Ai shtoi se tashmë hetimi për inceneratorët ka filluar dhe një ish-ministër ndodhet mbrapa hekurave, ku ndaj tij ka një akuzë të ngritur nga SPAK.
Karamuço tha se është provuar qarkullimi e vlerave monetare si pasojë e korrupsionit të ardhura nga inceneratorët.
“Shpresojmë që SPAK ti shkojë hetimit deri në fund dhe të dalin lidhjet që nuk i takojnë territorit shqiptar, por shkojnë përtej Adriatikut. Shikoj shumë elementë që janë të importuara, nuk vijnë natyrshëm. Kjo është një skemë e importuar nga aktiviteti kriminal italian”, deklaroi pedagogu i kriminologjisë.



