Zëvendëskryetari i Partisë së Lirisë, Agim Nesho, për thirrjen e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK për t’iu komunikuar akuza lidhur me privatizimin e klubit sportiv “Partizani” deklaroi se nuk mund të ketë drejtësi të pavarur.
Duke folur për MCN Live ai tha se e ka parë SPAK si zhvillim pozitiv për Shqipërinë, por se nga dita në ditë është bindur se ka rënë nën regjimin e autokratit të Edi Rama.
Nuk mund të mbulohet as me atë propagandë që SPAK thotë se kemi përkrahjen e amerikanëve.
Drejtësia menjëherë duhet të korrigjojë drejtimin e saj, kush është përgjegjës për vjedhjen e pasurisë së shtetit të shkojnë të gjithë para drejtësisë, por me fakte.
Por jo siç bëri SPAK show, që arrestoi dhëndrin e Berishës, i cili është një qytetar që zhvilloi pronën e tij, e lidhën me ish-kryeministrin.
Këto gjëra e turpërojnë demokracinë shqiptare, edhe para këtyre zgjedhjeve i them SPAK më mirë të mos ndodhë si me Belerin, që e përdori drejtësinë Edi Rama shumë keq që të bëjë aktin kalorësiak që i liron kur do vetë.
Dhe këtu Rama po vepron njëlloj se nuk ka logjikë të legjitimojë zgjedhjet e ardhshme, nuk mund të vejë në zgjedhje me liderin e opozitës në burg.
Rama e di këtë, por do të shkojë drejt afër zgjedhjeve dhe të bëj aktin kalorësiak, kjo nuk është drejtësi.
Zoti Berisha e ka thënë që në krye të herës që kjo është beteja ime dhe nuk e përfshiu partinë e tij.
Është një moment shumë i rëndësishëm që SPAK duhet të korrigjojë dhe mbajë veten e tij dhe nëse pranon kompromise të tilla të pajustifikueshme, aq më tepër kur drejtësia bëhet mashë e politikës, kompromenton gjithë misionin e tij.



