
Presidenti Donald Trump ka shkarkuar Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, John Bolton, pas një sërë mosmarrëveshjesh mes tyre për mënyrën sesi SHBA-të duhet të trajtojnë çështjen e Koresë së Veriut dhe Iranit. Trump njoftoi në profiling e tij në Tëitter se i kishte kërkuar dorëheqjen Boltonit, një kërkesë për të cilën ai mori përgjigje vetëm pak orë më pas.
"E kam njoftuar John Bolton mbrëmë se shërbimet e tij nuk janë më të nevojshme në Shtëpinë e Bardhë. Unë nuk kam rënë dakord me shumë prej sugjerimeve të tij, siç kanë bërë edhe të tjerë në administratë më parë, dhe për këtë arsye i kërkova të dorëzonte dorëheqjen, gjë që ai e bëri sot në mëngjes”, shkroi Trump në Tuiter.
Bolton e ka nxitur kreun e Shtëpisë së Bardhë të mbajë qëndrime më të ashpra ndaj regjimeve që ai i konsideronte si jo të besueshme. Ai ka pasur mosmarrëveshje edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të administratës, përfshirë Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo.
Bolton u emërua këshilltar për sigurinë kombëtare më 9 prill 2018. Ai ka mbështetur përdorimin e forcës dhe ndryshimin e regjimit në Siri, Venezuelë, Kore të Veriut dhe Iran. 70-vjeçari Bolton ka mbështetur fuqimisht tërheqjen e SHBA-ve nga marrëveshja bërthamore me Teheranin. Kohët e fundit, Trump e ka mbajtur atë larg takimeve të tij më të rëndësishme ndërkombëtare dhe është shprehur se ishte shumë i etur për t'i futur SHBA në një luftë tjetër.



