
Një 32-vjeçar afgan është arrestuar pasi plagosi 19 persona në Melburn, kur u fut me makinë në mes të një turme. Edhe pse në dukje i ngjan një sulmi terrorist të frymëzuar nga ISIS-i, policia nuk ka nxituar ta konsiderojë ngjarjen të tillë. Emigranti afgan nuk është i panjohur për policinë australiane. Ai ka precedentë kriminalë, probleme të shëndetit mendor dhe histori të abuzimit me drogën.
Në raportimet për ngjarjen, mediat vendase e cilësojnë si “ujk të vetmuar”. Po ashtu, në pranga është vënë edhe një 24-vjeçar, por policia mendon se ai nuk ka lidhje me ngjarjen.
Dëshmitarët në vendin ku ndodhi ngjarja thanë se e panë makinën kur hyri në mes të turmës, që po kalonte rrugën pas sinjalit jeshil për këmbësorët.
“Pashë njerëzit të fluturonin në ajër dhe të binin në tokë”, tha një dëshmitar.
“Disa gra po bërtisnin, pastaj u bë qetësi. Nuk kishte zhurmë sirenash, asgjë”, thotë një tjetër.
Ndërsa dëshmitari Lachlan Vella i ka thënë “Fairfax Media”-s se kishte parë një burrë me kostum të shtrirë përtokë dhe me kokën të çarë. Vella tha se një grua humbi ndjenjat, ndërsa një burrë tjetër ishte përgjakur në kokë dhe mezi merrte frymë.
Makina e përdorur ishte një “Suzuki SUV”, e cila hyri mes grumbullit të këmbësorëve në kryqëzimin mes rrugëve “Elizabeth” dhe “Flinders”.
Policia e Viktorias bëri të ditur se 32-vjeçari afgan po merret në pyetje. Edhe ai vetë ka marrë plagë në krahë dhe shpatull. Katër të plagosur janë në gjendje të rëndë, ndërsa një vogëlush i moshës parashkollore ka pësuar dëmtime serioze në kokë.
Policia e përjashton mundësinë e një sulmi terrorist. “Nuk kemi asnjë provë se ngjarja ka lidhje me terrorizmin. Deri tani dimë vetëm që është një akt i qëllimshëm, por motivet mbeten të paqarta. Sidoqoftë, është një akt i tmerrshëm, keqdashës dhe prej frikacaku”, ka thënë kreu i rajonit të Viktorias, Daniel Andrews. / Daily Mail /



