Dy personat që shikoni në fotografi janë autorët e dyshuar të vrasjes që tronditi Elbasanin mbrëmjen e të mërkurës, ku nga të shtënat me armë zjarri, humbi jetën 33-vjeçari Madrit Ulqinaku.
Të shpallurit në kërkim si autorë të dyshuar janë 18-vjeçari Horgito Peqini, bashkë me 33-vjeçarin Klaudjan Sallufi, të cilët i gjeni në fotografi.
Pas ngjarjes policia arriti të arrestoi 18-vjeçarin Ejden Dino, gjithashtu i dyshuar si i përfshirë në vrasje, teksa autori kryesor për policinë ose “këmbëza”, është pikërisht Horgito Peqinin.
Ky i fundit është edhe nipi i “Mandelës së Elbasanit”, siç njihet në zonë Eduart Peqini, i cili ka drejtuar një nga bandat më famëkeqe të vitit 1997.
33-vjeçari Madrit Ulqinaku u ekzekutua me armë zjarri, pak pasi ishte ngritur nga një kafene, ndërkohë që policia dyshon se ngjarja ka ndodhur për konflikte të momentit.
Policia tha zyrtarisht se nga hetimet e kryera rezulton se shtetasit Horgito Peqini, 18 vjeç, Ejden Dino, 18 vjeç dhe Klaudjan Sallufi, 33 vjeç, janë konfliktuar fillimisht verbalisht me shtetasin Madrit Ulqinaku.
Më pas, Horgito Peqini, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit Madrit Ulqinaku, i cili si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën në vendngjarje.
Nga ndërhyrja e policisë së Elbasanit, si dhe falë krehjes së zonës dhe kontrolleve me shërbime të shumta policie, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i njërit prej shtetasve të përfshirë në konflikt, Ejden Dino, 18 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një thikë dhe një dorezë metalike.
Aktualisht vijon puna intensive nga ana e shërbimeve të policisë, për kapjen e dy shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim.



